Selektori i Islandës: Kosova ka lojtarë cilësorë, diferenca nuk është e madhe

Selektori i Islandës: Kosova ka lojtarë cilësorë, diferenca nuk është e madhe

Sport March 12, 2025 - 18:36

Përzgjedhësi i Islandës, Arnar Vidar Gunnlaugsson, ka folur me respekt për ekipin kombëtar të Kosovës, duke theksuar cilësinë e lojtarëve dhe përvojën e trajnerit Franco Foda.

Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, Gunnlaugsson pranoi se ndeshjet ndaj Kosovës në Ligën e Kombeve do të jenë të vështira dhe se diferenca mes dy skuadrave nuk është aq e madhe sa e tregojnë renditjet zyrtare.

“Është një ekip me individë të talentuar, me lojtarë që luajnë për shembull për Napolin, Mallorcan, Lillen dhe Freiburgun. Kosova ka trajner me përvojë, i cili ka drejtuar edhe Austrinë para Ralf Rangnickut. Ai ka përvojë në futbollin ndërkombëtar. Kosova është 29 vende më poshtë se ne në renditjen botërore, por diferenca ndërmjet skuadrave nuk është aq e madhe”, tha Gunnlaugsson.

Islandezët do të përballen me Kosovën në dy ndeshje brenda këtij cikli të Ligës së Kombeve, por për Gunnlaugssonin, fakti që ndeshja e parë “në shtëpi” do të luhet në Spanjë për shkak të kushteve atmosferike nuk është ideal.

“Do të jenë dy ndeshje të vështira. Ne kemi një ndeshje në ‘shtëpi’ në Spanjë, jo këtu. Unë dua që ndeshjet t’i luajmë në shtëpi, pasi pres ndeshje të vështira”, shtoi ai.

Për trajnerin islandez, objektivi kryesor është që ekipi i tij të qëndrojë në Ligën B të Ligës së Kombeve, por ai dëshiron që kjo të arrihet duke treguar progres të vërtetë dhe jo vetëm duke u mbështetur në fitore me fat.

“Sigurisht që dua të fitojmë, ne duam të mbetemi në Ligën B, pasi kjo ligë është më e mirë për ne. Megjithatë, nuk dua të mbetemi nëse nuk tregojmë progres. Nëse arrijmë disa fitore me fat dhe nuk mësojmë asgjë, nuk do të na shërbejë asgjë kur të nisim në vjeshtë ndeshjet e vërteta”, theksoi selektori i Islandës, duke iu referuar kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.