
Capello: Guardiola me arrogancën e tij ia ka humbur vetës disa tituj të Ligës së Kampionëve
Fabio Capello ka thënë se Barcelona ka bërë një nga tre revolucionet futbollistike që ai ka parë në jetën e tij, por po ashtu ishte edhe kritikues i madh i Pep Guardiolës, për të cilin tha se “arroganca” dhe dëshira e tij për të qenë në qendër të vëmendjen ia kanë dëmtuar karrierën.
“Me të vërtetë e vlerësoj karrierën e Pep Guardiolas, ka bërë gjëra të bukura”, ka thënë ai në një intervistë për “El Mundo”.
“Kam parë tri revolucione në futboll, Ajaxi i Cruyff, Milani i Sacchit dhe Barcelona e Guardiolës. Nuk e kam problem ta them këtë”, tha ai.
“A e dini çka nuk më pëlqen nga Guardiola? Arroganca e tij. Finalja e 2023-ës ishte e para që nuk bëri vendime të çuditshme dhe fitoi ndaj Interit”, shtoi Capello.
“Viteve të tjera, në Manchester e në Mynih, në ndeshjet vendimtare, ai gjithmonë dëshironte të ishte në qendër të vëmendjes. Ai ndryshonte gjëra, eksperimentonte, që në rast se fitonte, do të thoshte e bëra unë, jo lojtarët”, shtoi trajneri italian.
“Kjo arrogancë ka bërë që ai mos të fitojë disa tituj të Ligës së Kampionëve”, përfundoi Capello.