Mediumi i madh italian zbulon emrat e tre kandidatëve favoritë për stolin e Juventusit

Mediumi i madh italian zbulon emrat e tre kandidatëve favoritë për stolin e Juventusit

Sport March 11, 2025 - 09:44

Raportimet në Itali tashmë kanë nisur të rekomandojnë trajnerë të rinj për zëvendësimin e Thiago Mottas te Juventusi.

Trajneri i “Zonjës së Vjetër” është në rrezik që të shkarkohet edhe në rast se arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve, pas humbjes turpëruese në shtëpi me rezultat 4-0 nga Atalanta.

Teksa Juventusi nuk pritet që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për pozitën e trajnerit të tyre, raportimet nga Italia bëjnë me dije se Motta rrezikon ta humbasë punën, edhe nëse ekipi kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

“Bianconerët” momentalisht janë jashtë Ligës së Kampionëve, Kupës së Italisë dhe u mposhtën nga Milani në gjysmëfinale të Superkupës së Italisë, andaj top-katërshja është misioni i tyre i vetëm.

Ani pse Juventusi nuk pritet të ndërpresë lidhjet me Mottan menjëherë, Gazzetta dello Sport sugjeron se ‘çdo gjë mund të ndodhë’.

Sipas GdS-së, ka tre emra të cilët do të lidhen çdo ditë e më shumë me Juventusin gjatë javëve në vazhdim, duke përfshirë edhe Gian Piero Gasperinin.

Trajneri i Atalantas ishte lojtar i Juventusit në fillimet e tij të karrierës dhe së fundmi ai kishte konfirmuar se nuk planifikon që të rinovojë kontratën e cila i skadon në verë.

Ata gjithashtu kanë parashikuar se Antonio Conte do të lidhet me një rikthim te Juventusi pasi e ardhmja e tij afatgjatë te Napoli nuk është e garantuar, edhe nëse ata shpallen kampionë këtë sezon.

Dhe emri i fundit që përmendet është ai i Roberto De Zerbit, veçanërisht duke marrë parasysh ecurinë e tij të mirë me Marseillen në Francë. /Telegrafi