
Besnik Hasi ndan rrugët me skuadrën belge
Besnik Hasi është shkarkuar nga klubi belg Mecheleni pas një serie rezultatesh të dobëta dhe përplasjeve me menaxhmentin, lojtarët dhe tifozët.
Me vetëm një fitore në 13 ndeshjet e fundit dhe 11 humbje nga 45 ndeshje në total, situata e Hasit ishte bërë e vështirë edhe pse sezoni i shkuar u mbyll me sukses.
Fundjavën e kaluar, Mecheleni humbi 1-0 ndaj Beerschotit, edhe pse luajti me një lojtar më shumë për 45 minuta.
Hasi, i cili ishte trajneri më i qëndrueshëm në Jupiler Pro League, kishte probleme të brendshme që nga eliminimi në dhjetor nga “Croky Cup” ndaj Beerschotit.
Ai shpesh kritikonte menaxhmentin dhe lojtarët, duke e quajtur humbjen 4-1 ndaj Anderlechit “skandaloze” dhe duke theksuar se mbrojtja e ekipit ishte “si e fëmijëve”.
Lexo po ashtuBesnik Hasi mezi ndalet nga lojtarët e tij që të mos përleshet me tifozët
Konflikte me tifozët gjithashtu i shtuan presionin. Pas një ndeshjeje, Hasi u përball me një tifoz të zemëruar, i cili e kritikoi për zëvendësimet e tij.
Hasi e quajti këtë një “incident” dhe pranoi se reagimi i tij nuk ishte i duhur.
Me rezultate të dobëta dhe tension të lartë, bordi i Mechelenit vendosi të shkarkojë Hasin.
Fred Vanderbiest do ta udhëheqë ekipin në dy ndeshjet e ardhshme, ndërsa klubi kërkon një trajner të ri për sezonin e ardhshëm.