
Dorëzohet në polici motra e Besar Nimanit
Policia e Bielefeldit të Gjermanisë ka njoftuar sot (e hënë) se është dorëzuar në stacion motra e boksierit të vrarë kosovar, Besar Nimanit.
Sipas njoftimit të Policisë së Bielefeldit, e dyshuara ka qenë në kërkim nga policia me urdhër arrest.
“Një grua 33-vjeçare nga Bielefeld, e kërkuar nga policia dhe prokuroria publike në bazë të një urdhër arresti, është vetëdorëzuar në policinë e Bielefeldit mbrëmjen e 28 shkurtit 2025, e shoqëruar nga avokati i saj”.
“Gruaja është motra e vëllait të ish-boksierit të vrarë, i cili gjithashtu u arrestua. E pandehura përballet me katër akuza për vrasje në tentativë dhe për veprën penale lëndim i rëndë trupor”.
“Përfshirja e saj e saktë në krim është ende nën hetim”, thuhej në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, e dyshuara nuk e ka pranuar fajësinë dhe tashmë është dërguar në një qendër paraburgimit.
Në fund policia njoftoi se katër personat e plagosur në këtë ngjarje janë në gjendje të qëndrueshme.