Kërcënimi i FSHF-së: Ndërpritet kampionati nëse policia nuk bashkëpunon

Kërcënimi i FSHF-së: Ndërpritet kampionati nëse policia nuk bashkëpunon

Sport February 11, 2025 - 13:16

Federata Shqiptare e Futbollit kërcënon me ndërprerje për një kohë të pacaktuar të kampionatit, nëse sipas saj policia nuk do të bashkëpunojë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive.

Pas luftës në distancë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe klubit të Partizanit, në fushë hyri dhe institucioni që drejton futbollin në vend.

“Te derbi i së dielës, Policia e Shtetit ka mbërritur me vonesë në stadiumin e Partizanit, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive jashtë stadiumit, siç duket qartë pa asnjë plan masash, që zakonisht bëhet publik gjithmonë para ndeshjeve derbi. Madje, Policia nuk mori përsipër fillimisht për të shoqëruar ekipin e Tiranës drejt stadiumit, gjë që solli edhe shtyrjen e ndeshjes me 30 minuta. Këto incidente erdhën si pasojë e mungesës së përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve të policisë. Ky në fakt nuk është rasti i parë kur Policia e Shtetit refuzon të bëjë detyrën dhe të bashkëpunojë me klubet dhe Federatën. Nëse kjo lloj qasjeje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, Federata është e detyruar të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë masa ekstreme deri në pezullimin e garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar”, lexohet në njoftimin e FSHF-së.

Përplasjet e dhunshme të tifozerive në derbin Partizani-Tirana nisën përpara ndeshjes dhe vijuan në tribuna, deri në ndërhyrjen e forcave të rendit. Policia njoftoi më herët se nuk merrte përsipër garantimin e rendit në Arenën e Demave, pasi impianti i Partizanit nuk plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshjeje derbi. Ky pretendim është hedhur poshtë nga klubi i kuq dhe Federata.