Shtyhet rikthimi i Zhegrovës në fushë, ylli kosovar do mungojë edhe gjashtë javë
Një lëndim që ylli kosovar Edon Zhegrova e pësoi në dhjetor të vitit të kaluar, bëri që ai të humbasë fillimin e vitit 2025 dhe duket se rikthimi i tij në fushë do të shtyhet edhe për ca javë.
Kjo pasi presidenti i Lille, Olivier Letang, në një prononcim të shkurtër për mediumin francez Laveixdunord.fr, ka konfirmuar se Zhegrova nuk do të jetë në gjendje të luajë për të paktën edhe gjashtë javë.
Sipas raportimeve nga mediat franceze, Zhegrova ka pësuar një lëndim në pjesën e poshtme të barkut dhe i duhet kohë për t’u rikuperuar.
Ky lajm është padyshim një goditje e rëndë për Lille të cilët do të vuajnë mungesën e tyre edhe më tutje si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në kampionat.
Tutje, presidenti Letang ka refuzuar të komentojë nëse Zhegrova duhet t’i nënshtrohet operimit, opsion të cilin duket se nuk e kanë në konsideratë as stafi mjekësor i klubit francez.
Në fund ai gjithashtu konfirmoi se ylli kosovar nuk do të largohet nga Lille, të paktën jo në afatin kalimtar të janarit, mes raportimeve se për të interesim ka shprehur Napoli.
Ky lëndim që ka pësuar ka bërë që Zhegrova të humbasë plotë shtatë ndeshje teksa besohet se ai do të rikthehet në fushë më datë 16 mars kur Lille do të ballafaqohet me Nantes.
25-vjeçari deri më tani ka zhvilluar 12 ndeshje me Lille në Ligue 1, ku ka arritur të shënojë katër gola dhe të dhurojë një asistim./Telegrafi/