Man City bën përmbysje spektakolare ndaj Chelseat
Manchester City ka shënuar fitore me rezultat 3-1 në shtëpi ndaj Chelseat në kuadër të javës së 23-të në Ligën Premier.
Të parët që kaluan në avantazh ishin mysafirët që realizuan në minutën e tretë për 1-0 përmes Noni Madueke, pas një gabimi fatal të Abdukodir Khusanov.
Man City iu afrua seriozisht golit në minutën e 11-të, por anglezit Phil Foden atë ia mohoi shtylla.
Në minutën e 34-të tek City menduan se shënuan golin e barazimit me Omar Marmoush, por ai u anulua për pozicion jashtë loje.
‘Qytetarët’ ia dolën që të barazojnë shifrat në minutën e 42-të përmes Josko Gvardiol që shënoi për 1-1 në portën e zbrazët.
Rastin e parë në pjesën e dytë e pati egjiptiani Marmoush i cili në minutën e 67-të pati një rast të mirë shënimi, por gjuajtja e tij ndonëse e fuqishme nuk shkoi në kuadratin e portës.
Vendasit përmbysën gjithçka në minutën e 68-të kur Erling Haaland shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit për të realizuar për 2-1.
Për të vulosur fitoren e Cityt u përkujdes Phil Foden i cili në minutën e 86-të pas një kundërsulmi ‘vrasës’ ia doli ta mposhtë portierin Robert Sanchez për 3-1.
Pas kësaj fitoreje Manchester City ngjitet në pozitën e katërt me 41 pikë të grumbulluara, teksa Chelsea zbret në pozitën e gjashtë me 40 sosh.