Legjenda gjermane e lavdëron Xhakën
Oliver Kahn vlerësohet legjendë e futbollit në Gjermani.
55-vjeçari ishte portier i Bayernit nga viti 1994 deri në vitin 2008, ndërsa për Gjermaninë i ka zhvilluar 86 ndeshje.
Lista e sukseseve të tij është e gjatë, ndërsa Kahn ishte shef ekzekutiv i Bayernit nga 1 korriku i viti 2021 deri më 27 maj të vitit 2023.
Prej se u shkarkua nga Bayerni, ish-kampioni evropian nuk është paraqitur në televizion.
Këtë fundjavë u kthye në studion sportive të ZDF-së dhe ndër të tjera ka lavdëruar mesfushorin kosovar, Granit Xhaka.
Kahn foli për ZDF menjëherë pas materiali lidhur me Xhakën dhe pyetja e parë për të ishte për situatën në Bundesligë, mentalitetin e Xhakës dhe Bayer Leverkusenit.
“Granit Xhaka ka mentalitet të shkëlqyer”, ka thënë Kahn, pas fitores 3:1 të Leverkusenit ndaj Borussia Monchengladbachut. “Te Leverkuseni ka shumë lojtarë të tipit të Granitit që marrin përgjegjësi. Leverkuseni ka një bosht shumë të mirë, i ka në përbërje të gjithë lojtarët që mund t’i kërkoni. Në përgjithësi, Leverkuseni tregon nivel të lartë të cilësisë dhe gjakftohtësisë kur skuadra e ka topin”, ka vazhduar Kahn.