Barcelona e shkatërron Real Madridin në finalen e Superkupës së Spanjës

Barcelona e shkatërron Real Madridin në finalen e Superkupës së Spanjës

Sport January 12, 2025 - 22:08

Barcelona e ka fituar Superkupën e Spanjës ndaj Real Madridit me rezultat 5-2, duke e dominuar takimin nga fillimi deri në fund.

Në ndeshjen e zhvilluar në Jeddah të Arabisë Saudite, mbretërit arritën të shënonin që në start edhe pse katalanasit kishin dy raste.

Vinicius Junior ‘vodhi’ një top nga Cassado, për të pasuar te Mbappe, i cili luajti bukur një me një me Balden për të shënuar për 1-0.

Por katalanasit vazhduan me sulme dhe nuk u dorëzuan, duke arritur golin e barazimit (1-1) në minutën e 22-të me Lamine Yamal.

Në minutën e 35-të, Barcelona fitoi penallti pasi rasti u shikua në VAR, ku nga pika e bardhë ishte i saktë polaku Robert Lewandowski që shënoi për 2-1.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli i tretë i Barcelonës, ku Kounde me një asistim të bukur gjen Raphinhan i cili me kokë shënon për 3-1.

Gjyqtari dha nëntë minuta lojë shtesë në pjesën e parë, ku në minutën e fundit, Barcelona me një super kundërsulm, arriti të shënojë golin e katërt me Balde që mposhti Courtois për 4-1.

Me të filluar pjesa e dytë, Barcelona arriti të shënojë golin e pestë në këtë takim, me Raphihan që gjeti rrjetën për 5-1 pas një aksioni të bukur.

Në minutën e 56-të. Barcelona mbeti me dhjetë veta në fushë, kur Wojciech Szczesny u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrja jashtë zone ndaj Mbappe.

Nga ajo goditje dënimi ishte Rodrygo që me një gjuajtje të bukur shënoi për 5-2.

Edhe pse Real Madridi kishte raste, nuk arriti të zbut epërsinë e Barcelonës, e cila po ashtu ishte afër të gjente rrjetën nga kundërsulmet.

Barcelona edhe njëherë këtë sezon tregohet më e mirë se sa Real Madridi, duke triumfuar kësaj radhe në finalen e Superkupës së Spanjës.