Amorimi zbulon arsyen pse është shumë i zemëruar me lojtarët pas ndeshjes me Liverpoolin

Amorimi zbulon arsyen pse është shumë i zemëruar me lojtarët pas ndeshjes me Liverpoolin

Sport January 05, 2025 - 22:22

Ruben Amorim lavdëroi paraqitjen e Manchester United në barazimin 2-2 ndaj Liverpoolit, por ishte i zemëruar me lojtarët e tij për mungesën e konsistencës gjatë kohës së tij si trajner. 

Harry Maguire humbi një rast të artë shënimi në sekondat e fundit, për t’i dhuruar ‘Djajve të Kuq’ një ndër fitoret më dramatike në histori të përballjeve mes këtyre dy skuadrave. 

Por barazimi që erdhi pas një serie prej katër humbjeve radhazi për Unitedin, e lehtëson presionin mbi supet e Amorim, skuadra e të cilit tashmë është ngjitur në pozitën e 13-të në tabelë. 

Sidoqoftë, në një intervistë pas ndeshjes për Sky Sports, Amorim nuk mundi ta fshehë zemërimin e tij ndaj lojtarëve pasi ata dështuan të dhurojnë paraqitje të ngjashme ndaj ekipeve si Bournemouth, Newcastle dhe Nottingham Forest. 

“Mendoj se ndihem më i zemëruar për shkak të ndeshjeve të kaluara, kështu që është shumë e vështirë t’i kuptosh disa gjëra”. 

“Ishte një pikë, ata e merituan këtë pikë, por është vetëm një pikë. Mendoj se ne duhet të ndihemi të zemëruar dhe të zhgënjyer, më shumë se sa për ndeshjet ndaj Bournemouth, Newcastle dhe Nottingham Forest”, ka thënë Amorim. 

“Nëse luajmë ndaj Liverpoolit çdo ditë, ne do ta bëjmë këtë, kështu që duhet ta bëjmë ndaj çdo kundërshtari”. 

“Ne duhet të luftojmë shumë për të dalë nga kjo situatë dhe më pas të luajmë në një mënyrë të veçantë në disa momente të ndeshjes, ne tashmë e kemi dëshmuar në ndeshjet e kaluara se mund ta bëjmë këtë”, përfundoi ai./Telegrafi/