Rama i përgjigjet Hajrulla Çekut: Vetëvendosja e ka bllokuar çështjen e palestrës sportive
Kreu i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, i ka reaguar sot ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, pasi ky i fundit në një postim të bërë të premten e ka akuzuar Komunën e Prishtinës për neglizhencë lidhur me ndarjen e një prone për ndërtimin e një palestre sportive.
Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kanë qenë asamblistët e Vetëvendosjes që për katër herë e kanë refuzuar edhe lokacionin edhe planin për palestrën, duke kujtuar madje se në seancën e 4 dhjetorit kjo bllokadë ishte shoqëruar edhe me shkatërrim të pronës publike dhe ndërhyrje të policisë.
Postimi i plotë:
REAGIM!
Në lidhje me deklaratën e Ministrit Hajrullah Çeku për palestrën multisportive dhe zonën ekonomike:
1. Lokacioni dhe plani për palestrën janë refuzuar katër herë nga asambleistët e Vetëvendosjes. Në seancën e fundit (04.12.2024), kjo bllokadë u shoqërua me shkatërrim të pronës publike dhe ndërhyrje të policisë!
2. Komuna e Prishtinës ka planifikuar ndërtimin e palestrës si pjesë të një kampusi sportiv në Bernicë, me projekte të plota urbanistike dhe përpjekje të vazhdueshme për miratim.
Përhapja e propagandës dhe mungesa e bashkëpunimit politik po dëmtojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj. Faji për vonesat bie mbi bllokimin e qëllimshëm nga Vetëvendosje dhe jo mbi Komunën.
Komuna do të vazhdojë të punojë për të realizuar projektet e rëndësishme, pavarësisht bllokimeve politike. Retorika e gabuar dhe veprimet destruktive nuk do të na ndalin!
Qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim, jo propagandë politike. Dokumentet që vërtetojnë përpjekjet tona janë publike dhe të qasshme për të gjithë!