Ibrahimoviq i drejtohet Fonsecas pas largimit nga Milani
Në prezantimin e Sergio Conceicao si trajner i ri i Milanit, drejtori i klubit Zlatan Ibrahimovic ka folur për largimin e Paulo Fonsecas, duke i kërkuar falje specialistit portugez për atë që i është bërë në lamtumirën e tij.
Fonseca regjistroi 12 fitore, 6 barazime dhe 6 humbje në 24 ndeshje në të gjitha garat dhe do të pasohet nga Sergio Conceicao.
Mirëpo, edhe pse e dinin menjëherë pas ndeshjes me Romën (1-1) se do ta zëvendësonin, drejtuesit e Milanit lejuan që Fonseca të paraqitej në konferencë për media, për të cilën Ibrahimovic kërkoi falje.
“Respekt maksimal për Paulo Fonseca. Ai nuk mundi të vazhdonte për shkak të rezultateve, të cilat janë thelbësore për Milanin. Ne e morëm vendimin pas ndeshjes dhe gabuam duke e dërguar në konferencën për shtyp, i kërkojmë falje Paulos dhe tifozëve”.
“Ne i kuptojmë tifozët. Ne jemi të parët që jemi të pakënaqur me kampionatin. Përgjegjësia nuk është vetëm e trajnerit, ajo duhet të ndahet me të gjithë”, deklaroi Ibrahimovic.
Trajneri i ri i Milanit, Sergio Conceicao, gjatë karrierës së tij ka luajtur në radhët e rivalin e Rossonerëve, skuadrën e Interit, ndërsa në Superkupën e Italisë do të debutojë më 3 janar kundër Juventusit, për të cilin luan djali i tij Francisco.