Milani dhe Roma ndajnë pikët në “San Siro”

Milani dhe Roma ndajnë pikët në “San Siro”

Sport December 29, 2024 - 23:00

Milani ka luajtur baras me rezultat 1-1 ndaj Romës në kuadër të javës së 18-të në elitën e futbollit italian. 

Rasti i parë në këtë ndeshje i takoi mysafirëve të cilët në minutën e 11-të goditën shtyllën me Artem Dobvyk. 

Në minutën e 16-të pas një aksioni mirë të ndërtuar, Milani kaloi në avantazh prej 1-0 falë Tijjani Reijnders i cili shënoi pas asistimit të Youssouf Fofanas. 

Nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i Romës të cilët barazuan gjithçka në minutën e 23-të me një gol të bukur të Paulo Dybalas. 

Pas protestave të ashpra në drejtim të gjyqtarit, trajneri i Milanit, Paulo Fonseca u përjashtua në minutën e 43-të nga loja. 

‘Rossonerët’ iu afruan sërish golit në minutën e 56-të me Samuel Chukwueze, por Mile Svilar ia mohoi golin me një pritje të vështirë. 

Deri në fishkëllimën e fundit nuk pati raste për ndonjërën prej skuadrave dhe kështu të dyja u desh të pajtoheshin me nga një pikë. 

Pas javës së 18-të Milani shkon në kuotën e 27 pikëve dhe mban pozitën e tetë në tabelë, ndërsa Roma renditet e 10-ta me 20 sosh./Telegrafi/