Liverpooli “gjunjëzon” West Hamin në udhëtim dhe vazhdon formën fantastike
Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat të thellë 5-0 në udhëtim ndaj West Hamit në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit anglez.
Që nga minuta e parë të besuarit e Arne Slot e dominuan këtë takim duke mos lënë në asnjë moment hapësirë për ndonjë befasi eventuale.
Për epërsinë e Liverpoolit u përkujdes Luis Diaz i cili në minutën e 30-të u gjend mirë në zonë për ta shfrytëzuar një top të kthyer për rezultatin 1-0.
Vendasit në minutën e 38-të patën një mundësi ideale me Mohammed Kudus por gjuajtja e tij u ndal nga shtylla.
Në minutën e 40-të Liverpooli gjeti edhe golin e dytë kësaj radhe me Cody Gakpo i cili realizoi për 2-0.
‘Të Kuqtë’ nuk u ndalën më kaq dhe shënuan edhe një herë tjetër, kësaj radhe me Mohamed Salah (44’) që shënoi për 3-0 pas asistimit të Curtis Jones.
Me të filluar pjesa e dytë mysafirët shënuan sërish me Trent Alexander-Arnold i cili në minutën e 54-të realizoi një super gol nga distanca për 4-0.
Për rezultatin përfundimtar të takimit 5-0 u përkujdes Diogo Jota i cili shënoi në minutën e 84-të golin e tij të dytë personal në këtë sfidë.
Pas këtij triumfi Liverpooli shkon në kuotën e 45 pikëve dhe me plotë meritë e mbyll vitin 2024 si lider i Ligës Premier./Telegrafi/