Xherdan Shaqiri flet për rikthimin e mundshëm te Zvicra
Prej kthimit te Baseli, Xherdan Shaqiri ka shkëlqyer si askush tjetër në Superligën e Zvicrës në futboll. Paraqitjet e 33-vjeçarit kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të tifozëve të Baselit, por edhe të tifozëve të Përfaqësueses së Zvicrës në futboll.
Pas paraqitjeve të mira te Baseli, a mund Xherdan Shaqiri të jetë pjesë e planeve të selektorit Murat Yakin?
“Kurrë mos thuaj kurrë. Kështu thonë në biznesin e futbollit”, ka thënë Shaqiri në një intervistë të gjatë për “Blick”, kur është pyetur për mundësinë e kthimit te Zvicra.
Por lojtari me 125 paraqitje për Zvicrën ka vazhduar menjëherë: “Për momentin, kthimi nuk është çështje”.
Shaqiri i dha fund karrierës te Zvicra në verën e këtij viti, pas Kampionatit Evropian të mbajtur në Gjermani.
Prej atëherë çështja “Zvicër” është e mbyllur për lojtarin ofensiv.
“Gjithnjë isha shumë krenar që e vishja atë fanellë. Më nuk mendoj për të dhe e shijoj kohën me shokë e familje gjatë pushimeve ndërkombëtare”, ka thënë Shaqiri.
Ai ka pranuar se jo gjithnjë është pajtuar me selektorin Yakin.
“Kemi pasur opinione të ndryshme, po. Por asgjë tjetër nuk ka ndodhur. Kam pranuar shumë komente pozitive pas pensionimit. Nuk jam dëgjuar me selektorin”, ka shtuar Shaqiri.
Ai ka debutuar te Zvicra që në vitin 2010. Në 125 paraqitje i ka realizuar 32 gola. Vetëm Granit Xhaka ka më shumë paraqitje se Shaqiri për “helvetikët”, 135. Sa u takon golave, para Shaqirit në listë janë vetëm Alexander Frei, Kubilay Turkyilmaz dhe Max Abegglen.
Shaqiri në verë u kthye te Baseli. Falë paraqitjeve të mira, mundësoi që Baseli të kthehet në garë për titull të kampionit në Zvicër. Në 14 paraqitje kampionale i kishte pesë gola e tetë asistime.
Pas pjesës së parë të kampionatit zviceran, Baseli është i dyti me 30 pikë, një më pak se Lugano.
Ndeshjen e ardhshme zyrtare Zvicra e luan më 5 shtator 2025 ndaj Kosovës. Ndeshja u takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Në grup me Kosovën e Zvicrën janë edhe Suedia e Sllovenia.
Shaqiri është i vetmi futbollist që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e mëdha të futbollit, tri kampionate botërore e tri kampionate evropiane.