Kosova merr fitore të madhe ndaj Bullgarisë në futsall

Kosova merr fitore të madhe ndaj Bullgarisë në futsall

Sport December 17, 2024 - 22:03

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka arritur të shënojë fitore ndaj Kombëtares së Bullgarisë me rezultat 6-2 në kualifikueset për Kampionatin Evropian.

Kosova e dominoi plotësisht pjesën e parë, ku arriti të shënojë tri herë.

Fillimisht rrjetën e gjeti kapiteni Ramadan Alaj për ta kaluar Kosovën në epërsi në minutën e tretë për 1-0.

Nuk vonoi shumë dhe pas katër minutash, ishte Yll Mazreku që shënoi për 2-0. Epërsia u thellua me golin e bukur të Shefki Kamerit për 3-0.

Bullgarët arritën të shënonin për 3-1 në minutën e 12-të me Plemen Stoykov, gol që mbylli pjesën e parë.

Me të filluar pjesa e dytë, Kosova shtoi epërsinë në 4-1, me golin e Dirlon Maxharrajn.

Bullgarët arritën të zbusnin epërsinë e Dardanëve në 4-2 me Plemen Stoykov, që shënoi golin e dytë personal.

Pesë minuta nga fundi, Kosova siguroi fitoren, me një aksion perfekt, ku Malush Qerimi shënoi për 5-2.

Fitim Krasniqi dy minuta nga fundi po ashtu u shënua në listën e golashënuesve për rezultatin 6-2.

Kosova ka tri pikë pas dy ndeshjesh. /Telegrafi/