Chelsea fiton me përmbysje derbin ndaj Tottenhamit
Chelsea është kthyer nga humbja ndaj Tottenhamit, duke marr tri pikë të mëdha pas fitores me rezultat 4-3, në derbin e Londrës në kuadër të javës së 15-të të Ligës Premier.
Dhjetë minutat e parë të lojës, Tottenham arriti të kryesonte ndaj Chesleat me rezultat 2-0 dhe këtë për fajin e spanjollit Marc Cucurella.
Në Londër binte shi dhe mbrojtësi spanjoll me sa duket nuk kishte veshur këpucët me thumba adekuat.
Cucurella rrëshqiti fillimisht në minutën e pestë, duke ia dhuruar topin Brennan Johnsonit, i cili asistoi te Dominik Solanke që i vetmuar që nuk e pati të vështirë të shënonte për 1-0.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, sërish Cucurella rrëshqiti dhe topi arriti tek Dejan Kulusevski, i cili me një gjuajtje të shkëlqyer shtoi rezultatin në 2-0.
Por Jadon Sancho me një super gol arriti të rikthej Chelsean në lojë, me një gol nga jashtë zonë në minutën e 18-të për 2–1.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë edhe pse kishte shumë raste të tjera, ndërsa në të dytë vetëm një skuadër u pa në fushë.
Në minutën e 60-të, Chelsea fitoi penallti, ndërsa nga pika e bardhë ishte i saktë Cole Palmer që mbposhti Fraser Forsterin për 2-2.
Chelsea nuk ndali sulmet, ndërsa në minutën e 74-të, Enzo Fernandez me një goditje të fortë shënoi për 3-2.
Dilema e fituesit u shua në minuën e 84-të, kur Cole Palmer edhe njëherë mposhti Forsterin nga pika e bardhë me një “panenka” për 4-2.
Tottenhami hapi ndeshjen në kohën shtesë, me James Maddison që asistoi te Heung-Min Son që shënoi nga afër për 4-3.
Chelsea me këtë fitore ngjitet në vendin e dytë me 31 pikë, para Arsenalit dhe Man Cityt, ndërsa lider mbetet Liverpooli me 35 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. /Telegrafi/