Dy ndeshje interesante sot në basketbollin kosovar

Dy ndeshje interesante sot në basketbollin kosovar

Sport December 07, 2024 - 12:04

Pas ndeshjeve çerekfinale të Kupës, skuadrat e Superligës së Kosovës në basketboll në fundjavë luajnë ndeshjet e radhës kampionale.

Xhiroja e 11-të hapet me derbin mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës.

Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga orën 17:00 në Suharekë.

Asnjëra skuadër nuk është në pozitën që e synon.

Peja është e katërta me bilanc prej pesë fitoresh e pesë humbjesh. Bilanc të njëjtë ka edhe Ylli që renditet i pesti.

Derisa Peja e mposhti Prishtinën në çerekfinalen e parë të Kupës, Ylli pësoi humbje të thellë nga Vëllaznimi në Gjakovë.

Suharekasit ende nuk kanë stabilitet në rezultate, ndërsa një fitore ndaj Pejës do të shërbente shumë në këtë qëllim.

Të shtunën është edhe ndeshja mes Borës e Bashkimit, që fillon në orën 19:00. Ekipi prizrenas është favorit i madh.

E mposhti Borën në mesjavë për Kupë dhe tani synon pikë të reja në kampionat.

Bashkimi është i dyti me bilanc prej tetë fitoresh e dy humbjesh, bilanc që e ka edhe Trepça e vendit të parë.

Bora e Prishtinës ka një fitore deri më tani e plot tetë humbje. Një ndeshje nuk e ka zhvilluar ende.