Futbollisti nga Mitrovica, Erion Kajtazi kujtohet përmes një dokumentari në 2-vjetorin e vdekjes

Futbollisti nga Mitrovica, Erion Kajtazi kujtohet përmes një dokumentari në 2-vjetorin e vdekjes

Sport December 03, 2024 - 21:30

Gjatë ditës së sotme është shfaqur dokumentari “Një yll që rrezatoi fort dhe u shua shpejt”, i cili i’u dedikua futbollistit nga Mitrovica, Erion Kajtazi, në dy-vjetorin e vdekjes së tij.

Në këtë dokumentar ishin trajnerët dhe bashkëlojtarët që folën për futbollistin e ndjerë dhe kujtimet që kishin së bashku, shkruan Telegrafi.

Ky dokumentar u shfaq mes një publiku të madh në sallën e teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë.

Image

Erion Kajtazi ishte futbollist i Trepçës ’89 dhe ndërroi jetë në moshën 17-vjeçare duke luajtur në fushën e futbollit.

Kajtazi ishte një ndër futbollistët e rinj më të talentuar në vend, derisa ishte në pritje të transferimit tek Anderlechti belg.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmes këtij dokumentari tha se dhimbja për humbjen e Kajtazit është shumë e madhe.

“Dhimbja është shumë e madhe për faktin që ishte një talent i jashtëzakonshëm. Për moshën e vet, Erioni ka lënë shenjë sikur të ishte një i rritur, apo më mirë të them sikur të kishte jetuar dyfishin e jetës së vet, aq ka lënë vepra tek të gjithë ne, sidomos tek klubi”, ka thënë Ademi.

“Kemi pasur shumë fjalë nga trajnerët që vërtetë ai ishte një talent”, ka thënë kreu i FFK-së.

Image

Në këtë dokumentar, trajneri i Kajtazit, Lavdim Behxheti ka thënë se edhe pse ai ishte i ri në moshë ata i dinin cilësitë e tij prej sportistit.

“Të kemi Erionin në skuadër, në ekip, ka qenë si të kemi edhe tre lojtarë më shumë. Një djalë me energji pozitive, me karakter të fortë, me teknikë të jashtëzakonshme që rrallë herë mund të shohësh tek fëmijët e tjerë”, ka thënë Behxheti.

Ai ka thënë se Kajtazi ishte një lojtar që kishte rol vendimtar për ndeshjet, transmeton Telegrafi.

“Ka qenë lojtar që t’a ka vendosur ndeshjen, kur ai e ka marrë topin tek zona e portierit, tek zona e rrezikimit, si trajnerë e kemi pasur një lloj emocioni që 80 për qind do ta jep gol”, ka treguar trajneri.

Ndërsa, bashkëlojëtari Argjend Kadriu ka thënë se Erionin fillimisht e kishte njohur si kundërshtar shumë të fortë.

“Së pari Erionin e kam njohur si kundërshtar shumë të fortë dhe aty ka nisur respekti si kundërshtar mes nesh. Pasi e kam ndërruar klubin dhe jemi bërë bashkëlojtarë, e kemi pasur një miqësi shumë të mirë me Erionin”, ka thënë bashkëlojtari.

Kadriu ka thënë se Erioni përveçse ishte lojtar shumë i mirë, ai ishte dhe një njeri shumë i mirë.

Përmes këtij dokumentari, ish-futbollisti u kujtua si një shok, bashkëlojëtar i mirë dhe si një futbollist që kishte shumë talent. /Telegrafi/