2 Korriku humbet ndeshjen e parë ndaj Dynamo Kyivit në Ligën e Kampionëve
Ekipi i 2 Korrikut U19 ka humbur me rezultat 5-0 ndeshjen e parë ndaj Dynamo Kyivit në kuadër të ‘play-off’-it të UEFA Youth League apo Ligës së Kampionëve për të rinj.
Ekipi prishtinas nuk ka arritur të tregoj formën e tyre më të mirë në ndeshjen e sotme ndaj ukrainasve të zhvilluar në stadiumin ‘Stali Stalowa Wola’ në Poloni.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët përveç raste shënuan edhe dy gola.
Goli i parë erdhi në minutën e 27-të me anë të Kyrylo Osypenko, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Matvii Ponomarenko (32’) shënoi për epërsinë 2-0.
Edhe në pjesën e dytë, Dynamo Kyivi ishte skuadër më e mirë, duke shënuar edhe tri gola për të marrë një fitore të thellë në ndeshjen e parë të ‘play-off’.
Goli i parë në pjesën e dytë erdhi në minutën e 58-të me anë të Ponomarenko, i cili shënoi për 3-0, teksa lojtari i njëjtë kompletoi het-trikun në minutën e 73-të duke shënuar nga penalltia për epërsinë 4-0.
Kur pritej që ndeshja të përfundonte, ashtu nuk mendoi edhe Ivan Andreyko, i cili në minutat shtesë vulosi rezultatin përfundimtar 5-0.
Ndryshe, ndeshja kthyese parashihet të luhet më 11 dhjetor në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.
Fituesi i kësaj ndeshje i bashkohet fazës së 1/16-tës në Ligën e Kampionëve për të rinj.