KF Shkëndija mirëpret “Shvercerat”: Mirë se vini, vëllezër nga Shkupi!
Të mërkurën do të luhen ndeshjet e javës së 16-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa kryendeshja luhet në Tetovë, ku takohen dy ekipet shqiptare, Shkëndija dhe Shkupi, njofton Telegrafi.
Ka disa ditë që po flitet se tifozët e Shjuoit, “Shvercerat” do të jenë në Tetovë, pasi kishin pranuar ftesën nga “Ballistët e Tetovës, dhe pikërisht sot të gjitha dilemat janë mbyllur, pasi kryesia e KF Shkëndijës ka dalë me njoftim, ku mes të tjerash thuhet:
Njoftojmë se është pranuar kërkesa e KF Shkupi për praninë e tifozëve të tyre në ndeshjen e xhiros së 16-të të Ligës së Parë. Pas një kohe të gjatë, në një duel të rëndësishëm futbollistik do të kemi mundësinë të shohim në tribuna dy tifozeritë shqiptare, “Ballistat” dhe “Shvercerat”, që premtojnë spektakël të jashtëzakonshëm”, kanë njoftuar nga Shkëndija, të cilët më tutje kanë bërë thirrje për një atmosferë festive dhe të dinjitetshme, duke shmangur çdo provokim të panevojshëm në baze etnike, racore dhe religjioze.
“Fusha do të vendosë se kush e meriton fitoren, por në tribuna le të shkëlqejë vetëm dashuria për futbollin dhe kombësinë tonë të përbashkët. Mirë se vini, vëllezër nga Shkupi!”.
Ndeshja Shkëndija – Shkupi luhet të mërkurën, më 27 nëntor, në orën 13:00, në Stadiumin e Qytetit në Tetovë.