Shkëndija kryeson në një kampionat gjithnjë e më të ngushtë
Java e 15-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut solli ndeshje të forta dhe rezultate që e bëjnë garën për titull dhe mbijetesë gjithnjë e më interesante.
Shkëndija siguroi një fitore të rëndësishme 0-1 në transfertë kundër Pelisterit në Manastir, duke ruajtur pozitën e parë në tabelë. Gostivari në cilësinë e vendasit mposhti Tikveshin 1-0, ndërsa Voska Sport dhe Vardari ndanë pikët në një barazim pa gola që nuk ndihmoi asnjërën palë në luftën për t’u larguar nga zona e rrezikut.
Rabotniçki shfaqi dominim me një fitore bindëse 4-1 ndaj Besës, ndërsa Struga dhe AP Brera barazuan 1-1 në një përballje të barazuar. Padyshim se befasia më e madhe ndodhi në stadiumin e Çairit, ku FC Shkupi në cilësinë e nikoqirit u mund nga Sileksi me rezultat të pastër 0-2, duke u bashkuar me Shkëndijën dhe Gostivarin në krye të tabelës, secila me nga 30 pikë.
Tabela pas kësaj jave është më konkurruese se kurrë. Shkëndija, Gostivari dhe Sileksi ndajnë kreun me pikë të barabarta, ndërsa Rabotniçki është shumë pranë, me 28 pikë në vendin e katërt. Struga qëndron në vendin e pestë me 26 pikë, ndërsa zona e mesit përfshin Shkupin, Pelisterin dhe AP Brerën me nga 16 pikë. Besa me 13 pikë është e nënta në renditje. Në fund të tabelës, Vardari dhe Voska Sport ndajnë pozitën e parafundit me nga 12 pikë, ndërsa Tikveshi mbetet i fundit me 10 pikë.
Java e 16-të, e cila zhvillohet të mërkurën, premton përballje emocionuese. Derbi shqiptar mes Shkëndijës dhe Shkupit do të jetë qendra e vëmendjes, ndërsa Gostivari do të vizitojë Vardarin në një ndeshje të rëndësishme për të dy ekipet. Struga pret Pelisterin dhe Sileksi ndeshet me Voska Sport, ndërsa Tikveshin e pret një sfidë e vështirë ndaj Rabotniçkit. Përballja mes Besës dhe AP Brerës pritet të ofrojë gjithashtu rivalitet të fortë.
Kampionati po hyn në një fazë kyçe para se ekipet të shkojnë në pushim dimëror dhe ekipet do të kërkojnë që sa më mirë të mbyllin fazën e parë.