Finalizohet draft-ligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030
Foto: Facebook

Finalizohet draft-ligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

Sport November 20, 2024 - 19:15

Qeveria e Republikës së Kosovës, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, përmes një ndërmarrjeje të madhe e të përbashkët, do jenë pjesë e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare.

Takimi i sotëm u zhvillua mes Komitetit Olimpik të Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), nga ku ka rezultuar me finalizimin e draft-ligjit për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Draft-ligji do të dërgohet për votim në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës dhe do të procedohet tutje për vlerësim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ligji për LM Prishtina 2030 parasheh lehtësira për investime në infrastrukturën sportive, përcakton formën dhe mënyrën e funksionimit të Komitetit Organizativ, mënyrën e financimit, përcakton rolet e palëve përfshirëse, etj.

KOK në fund ka falënderuar përzemërsisht të gjitha palët e përfshira, të cilat treguan unitet dhe vullnet të madh për të finalizuar draft-ligjin.

Po ashtu ka falënderuar veçanërisht drejtuesit e ICMG për praninë dhe mbështetjen e dhënë.