FFK-ja thotë se do t’i drejtohet CAS-it pas vendimit të UEFA-s
Foto: Zëri

FFK-ja thotë se do t’i drejtohet CAS-it pas vendimit të UEFA-s

Sport November 20, 2024 - 18:36

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), vlerëson se vendimi i së mërkurës i UEFA-s konfirmon se braktisjta e ndeshjes me Rumaninë nga lojtarët e Kosovës ishte veprim i arsyeshëm.

Derisa FFK-ja ka mirëpritur vendimin e UEFA-s për të gjobitur Federatën e Futbollit të Rumanisë, ajo ka njoftuar se do t’i drejtohet Gjykatës për Arbitrazh Sportiv në Llozanë për pjesën e vendimit që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar në të mirë të Rumanisë.

Disiplinori i UEFA-s e regjistroi ndeshjen e ndërprerë me rezultatin zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë, ndërsa gjobiti federatën rumune me plot 128 mijë euro.

“Sot, pas ankesës sonë të bazuar në fakte për përdorimin e thirrjeve raciste, ksenofobe dhe gjuhës së urrejtjes nga tifozët rumun gjatë ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, UEFA ka marrë vendimin për të dënuar Federatën Rumune të Futbollit me një gjobë prej 128,000 eurosh dhe një ndeshje pa shikues. Për FFK-në dhe lojtarët e Kombëtares tonë ky vendim është një konfirmim i arsyeshmërisë së veprimeve tona kundër thirrjeve raciste dhe mesazheve provokative politike kundër Kosovës. Për këtë, Rumania është dënuar me një vlerë totale prej 80,000 eurove. Ky vendim arsyeton në plotni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi të lërë fushën në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar”, ka shkruar FFK-ja në orët e mbrëmjes.

FFK-ja ka kërkuar dosjen e plotë nga UEFA dhe pasi të pranojë atë do t’i drejtohet CAS-it në Lozanë.

“Pavarësisht kësaj, ne nuk jemi dakord me vendimin për t’i hequr Kosovës tri pikë në tavolinë dhe për ta shpallur rezultatin 3-0 në favor të Rumanisë. Për këtë vendim, FFK do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë. FFK tashmë ka dorëzuar një kërkesë formale për të marrë vendimin e plotë nga UEFA, për të patur qasje të plotë në të gjitha detajet dhe arsyetimet ligjore që kanë çuar në këtë vendim dhe pas pranimit të vendimit të plotë, ne do të përdorim çdo shkallë tjetër të apelimit që kemi në dispozicion për të kundërshtuar heqjen e pikëve, e cila nuk reflekton drejtësinë dhe nuk pasqyron përpjekjet tona për të mbrojtur vlerat sportive”, shkruan tutje në komunikatën e federatës kosovare.

FFK-ja konsideron se rasti është betejë kundër racizmit dhe diskiminimit në të gjitha format e tij.

“Lojtarët tanë treguan një guxim të jashtëzakonshëm dhe qëndrim shembullor duke refuzuar të luajnë në kushte të padenja, dhe ky vendim i UEFA-s është një dëshmi e qartë që gjuha e urrejtjes, racizmi dhe mesazhet provokuese politike nuk kanë vend në futboll. FFK mbetet e përkushtuar të mbrojë interesat e lojtarëve dhe të komunitetit tonë sportiv, duke vendosur standarde të reja për drejtësi dhe respekt në sport. Ne falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim dhe ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit të na bashkohen në këtë betejë për barazi dhe dinjitet”.