Pas humbjes nga Ukraina, Uzuni: Rrezikova karrierën, vendosa të luaj që të tregoj se e meritoj një vend në formacion

Pas humbjes nga Ukraina, Uzuni: Rrezikova karrierën, vendosa të luaj që të tregoj se e meritoj një vend në formacion

Sport November 20, 2024 - 10:14

Kombëtarja e Shqipërisë pësoi mbrëmë (e martë) humbje nga Ukraina në kuadër të xhiros së fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” përfundoi me rezultat 1-2.

Golin e kuqezinjve arriti ta shënojë Nedim Bajrami nga pika e bardhë, pasi Myrto Uzuni ishte protagonist i cili arriti ta fitojë penalltinë.

Duke folur për “DigitAlb” pas ndeshjes, Uzuni tregoi se ai u aktivizua i dëmtuar në këtë sfidë, teksa foli dhe për mosaktivizimin e tepërt, transmeton “Zëri”.

“Normalisht ndjej keqardhje se e kemi nisur ndeshjen shumë keq. Sot ishte detyrim fitorja dhe normalisht jemi të gjithë të mërzitur për këtë humbje.

Debati te penalltia? Unë jam sulmues dhe gjithmonë dua të shënoj se edhe te Granada i gjuaj dhe shënoj të gjithë penalltitë. Në ato momente fitova penalltinë, jam sulmues dhe doja të zhbllokohesha. A e caktoi trajneri? Mendoj se po, nuk jam shumë i sigurt, nuk dua të gënjej.

Aktivizimi si vetëm? Për mua nuk ka problem se të gjithë e dinë që te Granada luaj si sulmues i dytë, në tre vitet e fundit i dini statistikat. Kur vij në kombëtare trajneri nuk më preferon në majë të sulmit. Mund ta bëj shumë mirë edhe atë. Të luaj për kombin nuk është se lodhem. Ju nuk e dini, por dje kam qenë i dëmtuar, kam bërë rezonance e rrezikoja për një dëmtim. Ekipi i Granadës kërkoi të mos rrezikoja, unë mund të refuzoja e mos futesha kur isha 2-0 se rrezikoja karrierën. Por vendosa që të luaj që të tregoj që meritoj një vend për të luajtur”, tha Uzuni për “DigitAlb” pas ndeshjes. /Zëri