Gjyqtari i CAS-it tregon dënimin që e pret Rumaninë pas incidenteve në ndeshjen me Kosovën
Cristian Jura, gjyqtar rumun në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, ka ofruar një analizë mbi ngjarjet e ndeshjes së së premtes midis Rumanisë dhe Kosovës.
Jura ka thënë se Rumaninë mund ta presë një dënim me gjobë, por nuk është i mendimit se ata rrezikojnë ta humbasin ndeshjen me rezultat zyrtar 3-0.
“Janë dy aspekte që duhet t’i konsiderojmë. Rumania është dënuar për sjellje të tifozëve, për mendimin tim është shumë me rëndësi ajo që shkruan gjyqtari”.
“Mendoj se ishte komplekse, në kuptimin që lojtarët e Kosovës bënë provokime dhe qartë se tanët u përgjigjën”, ka thënë Jura për fanatik.ro.
“Nëse i interpretojmë thirrjet ‘Serbia, Serbia’ në kontekstin e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, mund të interpretohet si sjellje e pahijshme. Jemi në situatë të vështirë. Ju mund të shihni çka ndodhi në Amsterdam në atë ndeshje të Ajaxit”.
“Nëse brohoritni Serbia, Serbia, në princip nuk duhet të jetë sjellje e pahijshme, por nëse thirrni Serbia, Serbia në kontekst të tensioneve mes Kosovës e Serbisë, mund ta interpretoni si sjellje të papërshtatshme. Mos të harrojmë që Kosova nuk është shtet i njohur nga Rumania”, ka deklaruar Jura.
Në vazhdim ai thotë se kjo është një çështje interpretimi, duke vënë theksin se nga këndvështrimi i tyre ajo që ndodhi ishte në rregull.
“Sërish varet nga interpretimi. Kosovarët thonë se ajo që ndodhi nuk ishte në rregull. Nga këndvështrimi ynë mund të thuhet që është në rregull”.
“Duhet të analizojmë gjithë situatë, jo vetëm faktin se kemi bërtitur Serbia, Serbia. Duhet të marrim për bazë sjelljen e tifozëve. Mendoj se do të jepet një gjobë, sesa një dënim më i ashpër”, përfundoi ai./telegrafi