Federata rumune skandalizon, thotë se thirrja “Kosova është Serbi” s'është raciste, i falenderon tifozët

Federata rumune skandalizon, thotë se thirrja “Kosova është Serbi” s'është raciste, i falenderon tifozët

Sport November 16, 2024 - 15:25

Federata Rumune e Futbollit (FRF) ka reaguar pas ndeshjes së mbrëmshme me Kosovën në Bukuresht, e cila u ndërpre pas thirrjeve raciste e provokimeve të futbollistëve të kombëtares së Kosovës.

Federata Rumune në reagimin e saj shpreh siç thotë, zhgënjimin e saj të thellë me sjelljen e delegacionit të Kosovës dhe lojtarëve kosovarë gjatë ndeshjes së së premtes mbrëma në Ligën e Kombeve.

Federata në vend se të denojë thirrjet raciste të tifozeve të saj, ata i kanë falenderuar për sipas tyre “qëndrimin e qytetëruar dhe për mos reagimin sa më shumë ndaj sfidave të lojtarëve kosovarë”, transmeton Zeri.info.

“Besojmë se akuzat që vijnë nga ekipi mysafir janë të pabaza dhe besojmë fuqimisht se veprimet e tyre ishin të paramenduara. FRF falënderon afro 50.000 tifozët rumunë të pranishëm në stadium për qëndrimin e qytetëruar dhe për mos reagimin sa më shumë ndaj sfidave të lojtarëve kosovarë.

Është e rëndësishme të theksohet se gjatë ndeshjes nuk ka pasur thirrje raciste dhe as një herë nuk është dëgjuar slogani “Kosova është Serbi”. Për më tepër, dëshirojmë t'ua rikujtojmë të gjithëve vendimin e marrë nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s lidhur me një incident të ngjashëm gjatë ndeshjes së vitit të kaluar ku Kosova ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Vendimi bëri të qartë se slogani "Kosova është Serbi" nuk mund të klasifikohet si racist dhe për këtë arsye nuk mund të shkaktojë procedurën me tre hapa. Këtë aspekt e ka ripërsëritur edhe delegati i UEFA-s gjatë takimit teknik të mbrëmshëm para ndeshjes, gjë që dëshmon se zyrtarët kosovarë e dinin se cilat ishin pasojat kur lojtarët e tyre shkuan në dhomat e zhveshjes.

Është për të ardhur keq që një ekip futbolli zgjedh të largohet nga fusha dhe të tërhiqet në dhomën e zhveshjes vetëm dy minuta para fishkëllimës së fundit, duke parë se nuk ka mbetur kohë për të arritur një rezultat të favorshëm. Ky veprim tregon mungesë respekti për sportin dhe mospërfillje totale për lojën e ndershme.

Lidhur me incidentin e supozuar në konferencën për shtyp pas ndeshjes të sjellë nga federata e Kosovës, ne e mohojmë kategorikisht ekzistencën e tij. Asnjë zyrtar i FRF-së nuk ishte i përfshirë dhe, në fakt, ishte delegacioni nga Kosova që nisi një konfrontim me gazetarët rumunë në fund të deklaratave të të ftuarve. Kjo mund të konfirmohet nga të gjithë përfaqësuesit e mediave të pranishëm në zonë.

FRF beson fuqishëm se futbolli promovon vlera që ndikojnë pozitivisht në shoqëri dhe ka fuqinë për të dhënë shembuj për brezat e ardhshëm. Fatkeqësisht, sjellja e delegacionit kosovar dhe veçanërisht e lojtarëve të saj në Bukuresht, shërben si shembull se “si të mos veprohet” në sportin profesional.

Ne presim vendimin e UEFA-s në lidhje me këtë. Megjithatë, duke pasur parasysh refuzimin e Kosovës për të përfunduar ndeshjen në fushë dhe largimin e lojtarëve në dhomat e zhveshjes pa pëlqimin e arbitrit, mund të ketë vetëm një rezultat, atë të harmonizuar me parimet e lojës ”, thuhet në komunikatën e FRF./Zëri