Ja kur pritet të merret vendimi për ndeshjen Rumani – Kosovë
Ndeshja e xhiros së pestë e Ligës së Kombeve e zhvilluar mes Rumanisë e Kosovës është e vetmja ndeshja e cila nuk ka ende një rezultat final.
Ndeshja është ndërprerë 2 minuta para përfundimit të takimit pasi që Kombëtarja e Kosovës nuk ka pranuar ta luaj deri në fund ndeshjen dhe ka dorëzuar ankesë në UEFA kundër nikoqirëve rumunë.
Andaj, UEFA duhet edhe të vendos për epilogun final të këtij takimi.
Xhiroja e fundit e Grupit 2 të Ligës C ku bëjnë pjesë edhe Kosova e Rumania do të zhvillohet të hënën, ku Kosova do të pres në shtëpi Lituanin, ndërsa Rumania do të përballet me Qipron.
Sipas rregulloreve të UEFA-s, vendimi duhet të merret para zhvillimit të xhiros së ardhshme, çfarë do të thotë se UEFA do të mund të dalë me një vendim nesër (e diel), ose më se largu të hënën, para zhvillimit të takimit mes Kosovës e Lituanisë.
Kombëtarja e Kosovës u tërhoq nga ndeshja për shkak të thirrjeve raciste në kor nga ultrasit rumunë duke u ndier të fyer.
Në bazë të rregulloreve të UEFA-s lidhur me mos pranimin e zhvillimit të ndeshjes, FFK-ja mund të përballet me sanksione, megjithatë ende nuk dihet se cili do të jetë epilogu final i këtij takimi.
Deri në ndërprerjen e ndeshjes, rezultati ishte i barabartë 0:0.
Kosova mbante pozitën e dytë në grup me tri pikë më pak se Rumania që është lidere në grup.