Tuci dhe Ramadani: Japim maksimumin sepse luajmë për kombin, në fushë vetëm për rezultat pozitiv
Kanë mbetur vetëm katër ditë nga sfida e parë e Kombëtares kundër Çekisë (16 nëntor, ora 20:45), e vlefshme për Nations League, kuqezinjtë vijojnë sipas programit stërvitjet dhe përgatitjet.
Dy lojtarët e Kombëtares, sulmuesi Indrit Tuci dhe mesfushori Ylber Ramadani, treguan në konferencën për media se si po shkojnë përgatitjet e kuqezinjve, ndërsa nënvizuan se janë të fokusuar fillimisht te ndeshja e parë.
I grumbulluar për herë të dytë me Kombëtaren, Indrit Tuci vlerësoi çekët për lojën që bëjnë, ndërsa theksoi se kuqezinjtë po marrin masat e duhura për të dyja ndeshjet. Sulmuesi tregoi se është në gjendje të mirë fizike, teksa tha se është gati për të dhënë maksimumin e tij nëse trajneri i beson minuta në ‘Air Albania’. Tuci nuk sheh rivalë në Kombëtare, ndërsa tha se kuqezinjtë luajnë për kombin shqiptar dhe shpreson të shënojë edhe gol te këto sfida.
Presion që mbetesh alternativë në sulm? – Presion nuk kam, por kam qejf sepse është hera ime e parë që do të luaj në ‘Air Albania’ dhe stadiumi është sold out. Këtë e marr si motivim dhe jo presion. Nëse trajneri më beson, jam gjithmonë i gatshëm ta bëj punën time.
Sa do na ndihmojë fakti që ti e njeh Çekinë? – I njoh mirë sepse kanë një stil loje që edhe ne e pamë në ndeshjen e parë. Janë fizikë, luajnë me topa të gjatë, do të bëjmë ç’është e mundur që t’i ndalojmë dhe të jemi më luftëtarë në topat e dytë. Ata kanë një sulmues të gjatë dhe duhet ta mbulojmë sa më mirë dhe shpresoj që ashtu sikurse në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, t’i neutralizojmë, të bëjmë një ndeshje të njëjtë dhe të kënaqim tifozët.
Gjendja fizike – Besoj që jam gati. Kam bërë të gjitha testet dhe analizat dhe më kanë dalë mirë. Mund të ketë ndonjë shqetësim të vogël, por s’do të thotë asgjë. Këtu jemi për Kombëtaren dhe duhet të japim gjithçka.
Çfarë prisni të ndryshojë skuadra në ndeshjen ndaj Çekisë? – Nuk janë pak tre gola në 4 ndeshje. Po t’i shikojmë ekipet e tjera, kanë shënuar sa ne. Gjeorgjia ka bërë më mirë se ne. Ne kemi 6 pikë aq sa kanë edhe dy ekipet e tjera. Nuk ka rëndësi sa gola shënon, nëse fiton ndeshjen 1-0, merr tre pikët dhe e ke kryer punën. Dëshira jonë është që të shënojmë gola dhe besoj se do t’ia dalim me sukses sepse po stërvitemi mjaft mirë.
"Konkurrenti" juaj në Kombëtare? – Kam ardhur në Kombëtare që të japim më të mirën. Këtu nuk jemi në klub, ku mund të mërzitesh se pse nuk luan. Kombëtarja është komplet ndryshe, nuk je këtu për veten. Je për kombin, për emblemën. Duhet të japim maksimumin, aq minuta sa je në fushë.
A ke pasur komunikim me lojtaret e klubit Sparta Praga? – Luaj vetëm me qendërmbrojtësin Vitig te Sparta, ai ishte i grumbulluar me Çekinë. Por u dëmtua, për ne është avantazh sepse është lojtar mjaft i mirë. Do i bënte shumë punë Çekisë. I uroj shërim të shpejtë, por më vjen mirë që nuk luan kundër nesh.
"Debutimi" në "Air Albania" dhe a e ke menduar golin? – Çdo ditë e mendoj. Para se të shkoj të fle, e mendoj golin dhe si mund ta shënoj. Objektivi im është që të jap më të mirën dhe të ndihmoj ekipin. Goli është i mirëseardhur nëse vjen.
Si do të ndiheshe nëse do të shënoje para tifozëve në "Air Albania" – Vetëm të luaj para tyre është ndjenjë e veçantë dhe shpresoj shumë që ta shënoj golin. Nuk ka rëndësi për mua. Nëse e shënon Ramadani, do të jem dyfish më i lumtur.
Ylber Ramadani vlerësoi të dy kundërshtarët dhe theksoi se fokusi fillimisht është te ndeshja e radhës ndaj Çekisë. Mesfushori nënvizoi se Kombëtarja do të japë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv në të dyja takimet.
Kundërshtari më i vështirë? – Të dy kundërshtarët janë të fortë, kanë luajtur në Europian. Synimi i tyre është kualifikimi, por ne mendojmë vetëm ndeshjen e radhës ndaj Çekisë, pastaj Ukrainën. Nuk do të jetë e lehtë pasi janë kundërshtarë të fortë. Çekia është skuadër fizike, por ne jemi duke u përgatitur. Avantazhi jonë i vetëm janë tifozët që do t’i kemi në “Air Albania”, kjo është një shtysë e madhe për ne.
Vendi i parë në grup? – Në futboll funksionon ndeshje pas ndeshje. Unë mendoj që presion kemi gjithmonë, por ne e dimë si ta menaxhojmë dhe e dimë si duhet të luajmë me Çekinë. Atje u mundëm nga duelet dhe topat e gjatë, por mendoj që këtu do të jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të futemi në fushë shumë seriozisht dhe ta menaxhojmë presionin në mënyrën e duhur.
Reparti i mesfushës? -Unë nuk e kam problem, pasi ambientohem shumë shpejt në fushë. Me lojtarët që luajnë më shumë në sulm nuk kam problem, pasi duhet të rri mbrapa të ndihmojë mbrojtjen. Kjo është detyra ime. Zgjedhjet i bën trajneri, por unë nuk e kam problem. Nuk lodhem asnjëherë (qesh), jap gjithçka.
Humbja në Pragë me Çekinë? – Jo, nuk i shikoj notat që vendosen kurrë. Shikoj vetëm analizën e trajnerit.
Sa e vështirë është të luash ndaj Çekisë? – Sulmuesi i Çekisë është i gjatë dhe duhet ta mbulojmë dy veta. Ashtu e pësum golin e parë në Çeki, janë skuadër shumë fizike. Duhet ta menaxhojmë shumë mirë sulmuesin e tyre.
Fitorja ndaj Çekisë? – Normalisht, të gjithë kemi ardhur që të marrim në të dyja ndeshjet rezultate pozitive. Do bëjmë maksimumin.
Çfarë duhet të ndryshojë Shqipëria nga ndeshja e parë me Çekinë?– Mendoj që duhet të ndryshojmë qasjen dhe përkushtimin në ndeshje.