Lindon Demiri stoliset me medaljen e artë të parë në histori, Sinani: Fitore historike, synojmë edhe të tjera

Lindon Demiri stoliset me medaljen e artë të parë në histori, Sinani: Fitore historike, synojmë edhe të tjera

Sport November 12, 2024 - 18:17

Trajneri i reprezentacionit të Kosovës Korab Sinani thotë se shkruan historinë duke fituar medaljen e parë të artë në MuayThai, ndërsa nuk do të ndalen më kaq.

Në eventin që po zhvillohet në Prishtinë, Lindon Demiri hyri në histori duke u bërë garuesi i parë nga Kosova që stoliset me të artën, në një ngjarje ku morën pjesë 35 shtete.

Sinani është i lumtur me këtë arritje historike, por beson se mund të fitojnë edhe medalje tjera.

“Sonte e kemi bërë një fitore historike, medalja e artë e parë në MuayThai. Kampionati Evropian po mbahet në Prishtinë, janë 35 shtete pjesëmarrëse. Lindon Demiri në kategorinë 54 kilogramë e ka fituar të artën”.

“S’kemi pasur ndonjë telash në zhvillim, nesër i kemi edhe tre apo katër luftëra tjera, por më e rëndësishme që tashmë e kemi fituar të artën. Nesër medalje do të synojnë edhe Erdonit Alia, Lorik Mehmeti, Pior Guda”.

“T’ju kujtoj se ky event është internacional, vetëm një në botë për MauyThai, pra i ka plotësuar 53 kritere për më hi në Olimpiadë, pra është diçka shumë e madhe”, deklaroi ai për Nacionalen.

Ndërkohë, për këtë ngjarje ka shkruar edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama, i cili tha se është krenar që për herë të parë po zhvillohet një kampionat i tillë.

“Krenar që kryeqyteti mirëpriti për herë të parë Kampionatin Evropian të MuayThai!

Mbi 300 sportistë dhe përkrahës nga e gjithë Evropa erdhën për ta përjetuar energjinë e kryeqytetit tonë.

Ky event nuk është vetëm sportiv, por një mundësi që të rinjtë tanë të mësojnë nga kampionët më të mirë ndërkombëtarë.

Jemi gjithmonë të hapur për ngjarje që e bëjnë qytetin tonë të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare”, shkroi Rama.