Sulmi ndaj tifozëve izraelitë në Amsterdam, pesë të hospitalizuar dhe 62 të arrestuar
Policia e Amsterdamit tha të premten se pesë persona u shtruan në spital dhe 62 u arrestuan pas sulmit ndaj tifozëve izraelitë pas një ndeshje futbolli.
Policia tha në një postim në X se ka nisur një hetim të madh për incidente të shumta të dhunshme. Postimi nuk jep detaje të mëtejshme për të lënduarit ose të ndaluarit në dhunën e së enjtes mbrëma, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
Më herët, një deklaratë e lëshuar nga bashkia, policia dhe prokuroria e kryeqytetit holandez tha se nata pas ndeshjes së Europa League midis Ajax dhe Maccabi Tel Aviv “ishte shumë e trazuar me disa incidente dhune të drejtuara ndaj tifozëve të Maccabit”.
Dhuna u dënua nga udhëheqësit e Holandës dhe Izraelit si antisemite. Izraeli njoftoi se po dërgonte aeroplanë në kryeqytetin holandez për t’i çuar tifozët në shtëpi.