Rumani - Kosovë: Nga 674 bileta të ndara, “Dardanët” i blenë veç 19 deri tani
Federata Rumune e Futbollit (FRF) ka treguar se ka ndarë 674 bileta për mbështetësit e Kombëtares së Kosovës për ndeshjen Rumani - Kosovë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Sipas portalit rumun të sportit “fanatik.ro”, deri më tani janë shitur vetëm 19 nga to.
Ky portal shkruan se atmosfera në ndeshjen Rumani-Kosovë, e caktuar për 15 nëntor nga ora 20:45 në stadiumin “National Arena”, pritet të jetë e zjarrtë, pasi në tribuna pritet të jenë rreth 50,000 spektatorë.
Biletat e ndara për rumunët për këtë ndeshje raportohet se janë shitur të gjitha.
FRF-ja i ka vënë në dispozicion 48,957 bileta për fansat rumunë, ndërsa bashkë me biletat për mysafirët, në stadium pritet të jenë në total 49,300 fansa.
Biletat për “Dardanët” kushtojnë 7 euro, e të cilat mund të blihen online.
Shitja e tyre ka nisur më 28 tetor, ndërsa do të jenë në dispozicion deri më 8 nëntor.
FRF-ja është detyruar të mbyllë një pjesë të stadiumit me 3,000 ulëse për ndeshjen kundër Kosovës për shkak të një dënimi të aplikuar nga UEFA për shkak të incidenteve të shkaktuara nga tifozët ultra në ndeshjen Rumani – Lituani më 9 shtator. Veç mbylljes, Federata është dënuar edhe me 55 mijë euro gjobë.
Rumania kryeson grupin me 12 pikë, e ndjekur nga Kosova me 9 pikë.
Kosova synon fitore në këtë ndeshje me qëllimin që ta kryesojë grupin.
Në rast se në fund Kosova dhe Rumania mbesin me pikë të barabarta, do të shikohet goldallimi nga ndeshjet direkte.
Ndeshjet e mbetura të Grupit C:
15 nëntor: Rumani - Kosovë dhe Qipro - Lituani.
18 nëntor: Kosovë - Lituani dhe Rumani - Qipro.