Vinicius Jr beson se tashmë e ka gjetur arsyen e vërtetë pse humbi garën për ta fituar Topin e Artë
Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior raportohet se beson që lufta e tij ndaj racizmit është arsyeja pse ka humbur garën për Topin e Artë.
Real Madridi dhe Vinicius mbetën të befasuar të hënën pasi zbuluan se braziliani nuk e ka fituar Topin e Artë përkundër faktit që fitoi La Liga-n dhe Ligën e Kampionëve.
Vinicius ‘shpërtheu’ në lot gjatë muajit mars kur u pyet për abuzimin racor që po i bëhet në stadiumet e Spanjës.
Ai madje kishte arritur deri në atë pikë sa që ka kërkuar që Spanjës t’i largohet mundësia për të qenë nikoqir i Botërorit të vitit 2030 nëse vazhdon racizmi, duke thënë se racistët duhet të dërgohen në burg.
Rrethi i afërt i brazilianit besohet se ka thënë për Reuters se Vinicius i është referuar luftës së tij ndaj racizmit kur kishte folur për votën përfundimtare të Topit të Artë.
“Bota e futbollit nuk është e gatshme ta pranojë një lojtar i cili lufton kundër sistemit”, thuhet të ketë qenë mesazhi i personave afërt Vinicius.
24-vjeçari do të shpresojë që nervozizmin e tij ta largojë në mënyrën më të mirë të mundshme kur Real Madridi të rikthehet në aksion të shtunën.
Ekipi i Carlo Ancelottit do të ketë punë në udhëtim ndaj Valencias në ‘Mestalla’, aty ku do kërkojnë rikthimin tek fitoret pas ‘turpërimit’ në El Clasico./telegrafi