Disa fakte interesante nga “El Clasico”

Disa fakte interesante nga “El Clasico”

Sport October 26, 2024 - 13:05

E shtuna e 26 tetorit 2024, i përket vetëm “El Clasicos".

Ndeshja nis nga ora 21:00, dhe luhet në “Santiago Bernabeu”, aty ku Real Madridi i bën konak Barcelonës, për xhiron e 11-të të La Ligas për sezonin 2024/25.

90 minuta futboll që tërheqin vëmendjen e miliona tifozëve nga e gjithë bota.

Më poshtë mund të mësoni disa fakte interesante të kësaj përballje.

Ndeshja e parë mes Real Madridit e Barcelonës u luajt më 1902, kur “Los Blancos” kishin vetëm dy muaj që ishin themeluar si klub, derisa klubi katalonas ishte themeluar paara dy vjet e gjysmë, më 1899.

Ky takim jozyrtar u luajt për gjysmëfinalet e “Copa da Coroçao. Barcelona e fitonte këtë ndeshje me shifrat 3-1.

Në Kupën Lokale më 1943, Real Madridi e humbi ndeshjen e parë 3-0 dhe do t’i duhej një mrekulli për rikthim. Mirëpo përgjigja e Realit qe e jashtëzakonshme. “Të Bardhët” nga Madridi fituan 11-1, e cila njëherësh njihet si fitorja me e thellë në “El Clasico”.

Sergio Ramos është një nga ikonat e Real Madridit, i cili është futbollisti që u përballë më së shumti me Barcelonën (46 herë).

Ndërkohë, lojtari i Barcelonës që është përballur më së shpeshti me Real Madridin, duke e pasur veshur fanellën blaugranase, është Sergio Busquets me 48 herë.

Pas finales së Ligës së Kampionëve, ndeshja më e shikuar në nivel klubesh është “El Clasico”. Sipas llogaritjeve nga La Liga, “El Clasico” shikohet në 185 shtete me më shumë se 650 milionë shikues.

Një nga momentet më kontraverse në historinë e “El Clasicos” është transferimi i argjentinasit, Alfredo di Stefano në vitet e 50-ta. Pas një keqkuptimi, i shkaktuar nga Millonarios Futbol Club (ku luante Di Stefano atëbotë), lojtari përfundoi duke nënshkruar edhe me Real Madridin, edhe me Barcelonën.

Pas negociatave të mundimshme, Federata e Spanjës vendosi që Di Stefano të luajë katër sezone në Spanjë, dy për Real Madridin dhe dy për Barcelonën. Siç pritej, kjo prodhoi një skandal të madh dhe një valë protestash nga dy tifozëritë.