Trepça e fiton derbin ndaj Pejës
Trepça hyri në pjesën e dytë me shtatë pikë disavantazh ndaj Pejës.
Kjo epërsi e pejanëve shkoi edhe deri në dhjetë pikë në fillim të periudhës së tretë.
Por, në fundin e kësaj pjesëloje, “xehetarët” shpërthyen me sulm të përkryer e mbrojtje shumë të fortë, për ta kthyer epërsinë në të mirë të vet.
Trepça në fund fitoi me rezultatin 94:85.
Trepça kaloi në epërsi 67:66 kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 22 sekonda deri në fund të periudhës së tretë.
Deri në fund nuk e lëshoi epërsinë dhe e fitoi ndeshjen derbi të xhiros së gjashtë ndaj Pejës, me nëntë pikë dallim.
Ndeshja u karakterizua me tensione në parket e lojë të fortë nga të dyja skuadrat.
Peja e fitoi çerekun e parë 24:16, ndërsa e humbi të dytin 26:25. Plot 32 pikë i shënoi Trepça në “Minatori” në periudhën e tretë, ndërsa pranoi vetëm 18 pikë. Ndërkohë, dhjetëminutëshin e fundit, vendësit e fituan 20:18, për fitoren e katërt në fillim të këtij edicioni. Trepça i ka edhe dy humbje.
Nga ana tjetër, pejanët e pësuan disfatën e katërt krahas dy fitoreve.
Plot gjashtë basketbollistë të Trepçës realizuan pikë dyshifrore në këtë ballafaqim.
Mouhamed Barro ishte me statistikat më të mira, me dyshifror të dyfishtë prej 14 pikëve, 11 kërcimeve e katër asistimeve.
Kontribut të madh në fitore dha edhe Malik Johnson me 24 pikë, tri kërcime e pesë asistime.
Pejës nuk i ndihmuan 20 pikët, shtatë kërcimet e katër asistimet e Darnell Cowartit.