Pamje të reja të tensionit pas ndeshjes Kosovë - Qipro: FFK-ja u del në mbrojtje lojtarëve dhe e quan rastin të mbyllur
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) iu ka dalë në mbrojtje kapitenit Amir Rrahmani dhe lojtarëve të tjerë, pasi pretendohet se pas ndeshjes janë ofenduar dhe sharë nga tifozët në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në një video të publikuar nga RTV Dukagjini shihen disa momente nervozizmi të shprehura nga kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, me kreun e “Dardanëve”, Lulzim Berisha.
E gjithë kjo pasi tifozët donin që lojtarët të afroheshin para porte, gjë që e bën pas disa momentesh.
Udhëheqësi i “Dardanëve” doli edhe me një sqarim publik të mërkurën mbrëma duke kërkuar falje nëse Rrahmani dhe lojtarët e tjerë janë sharë apo ofenduar.
Sot, FFK nëpërmjet një njoftimi të lëshuar për media të enjten ka konfirmuar se “është e informuar për rastin” të cilin e ka quajtur aksidental e të momentit, ndërsa ka qëndruar krahë lojtarëve.
“Federata e ka përcjellë me shqetësim rastin në fjalë dhe në parim gjithnjë qëndron në anën e futbollistëve të ekipit kombëtar, duke shfaqur mbështetjen dhe duke kërkuar respekt për ta. Konsiderojmë që kërkimfalja që ka ndodhur ndaj kapitenit dhe futbollistëve shënon mbylljen e një rasti aksidental të momentit dhe shpresojmë se do të shërbejë si rast që do të lidhë edhe më fuqishëm ekipin dhe përkrahësit para sfidave të reja të Kombëtares sonë”.
“Përtej kësaj Federata çmon shumë dhe shpreh falënderimin e vet për të gjithë tifozët dhe shikuesit që e përcjellin dhe e përkrahin ekipin kombëtar, por kërkon nga ta që të shfaqin respektin fillimisht për futbollistët e ekipit tonë kombëtar, mirëpo edhe për të gjithë akterët tjerë të ndeshjes, përfshirë edhe ekipin kundërshtar”, thuhet në komunikatën e FFK-së.
Po ashtu FFK ka kërkuar nga lojtarët të shfaqin respekt për tifozët që e mbushin stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Ne dhe futbollistët e ekipit kombëtar e kuptojmë saktë dhe drejt reagimin e tifozëve, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojmë që reagimet të cenojnë respektin për asnjë prej anëtarëve të ekipit kombëtar”.
“Në të njëjtën kohë, FFK-ja kërkon nga të gjithë anëtarët e saj, përfshirë edhe futbollistët e ekipit kombëtar, që të shfaqin respektin e duhur për të gjithë tifozët dhe shikuesit që vijnë për të përkrahur Kombëtaren pa kushtëzim, në numër maksimal sa lejon kapaciteti i stadiumit, sepse janë ata që i japin emocion lojës së futbollit. Ekipi kombëtar është i të gjithë Kosovës, prandaj ta duam dhe ta përkrahim secili duke dhënë kontributin nga këndi i vet”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Siç duket hatërmbetja ka filluar që në ndeshje ndaj Rumanisë e zhvilluar në “Fadil Vokrri”, ku “Dardanët” dhe shikuesit e tjerë të pranishëm në tribuna kanë vërshëllyer dhe kanë brohoritur “marre, marre” dhe “jashtë, jashtë” në drejtim të lojtarëve./Telegrafi/