Kurti e lartëson Kombëtaren e Kosovës: Nëntë gola, nëntë pikë në tri ndeshjet e fundit
Kryeministri Albin Kurti ishte prezent mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për ta mbështetur Kombëtaren e Kosovës, e cila e mposhti Qipron me rezultat të pastër 3:0 në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Amir Rrahmani, Ermal Krasniqi e Emir Sahiti i shënuan golat e fitores për Dardanët, të cilët kështu e regjistruan fitoren e tretë radhazi për ta “gozhduar” pozitën e dytë në tabelë, me gjasat hapur për ta mbyllur grupin si liderë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës e ka bërë një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit e lartësoi Kombëtaren, ndërsa beson se djelmoshat e Franco Fodës do të dalin mirë edhe nga përballja e nëntorit ndaj Rumanisë, e cila do të jetë edhe vendimtare për fatin e tyre në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
“Nëntë gola, nëntë pikë në tri ndeshjet e fundit. Formë jashtëzakonisht e mirë e ekipit tonë, që sonte luajti me plot vetëbesim, teksa na mbushi plot besim për ndeshjen e radhës kundër Rumanisë. Faleminderit për këtë mbrëmje të mrekullueshme e gëzuar fitoren!”, shkroi Kurti.