Ligue 1 s’ndalet me postime për Zhegrovën

Ligue 1 s’ndalet me postime për Zhegrovën

Sport October 15, 2024 - 16:50

Edon Zhegrova është lojtari më në formë i momentit te kombëtarja e Kosovës.

Ai edhe në spektrin individual, po kalon në momentet më të mira në karrierën e tij.

25-vjeçari ka qenë lojtar kyç për Lillen në këtë fillimsezon, qysh nga kualifikimet për Ligën e Kampionëve, dhe në edicionin e rregullt.

Ylli kosovar u shpall lojtari i ndeshjes, në takimin ndaj kampionit në fuqi të Europës, Real Madridit. Në një përballje ku u përfshinë yje të futbollit europian dhe jo vetëm.

Formën e tij të mirë, Zhegrova e barti edhe te Kosova këtë muaj, duke shënuar në ndeshjen ndaj Lituanisë.

Që atëherë, Ligue 1, aty ku luan Zhegrova, s’i ka ndalur postimet rreth sulmuesit kosovar.

Po atë ditë, më 12 tetor, Ligue 1 publikonte në rrjetin social “X”, duke shkruar se Zhegrova është diamanti i Kosovës.

Postim të njëjtë faqja zyrtare e elitës së futbollit francez e bëri edhe sot, duke shfaqur statistika të Edonit me Lille dhe Kosovën.

Siç shihet në postim, Zhegrova ka 8 gola dhe asiste në këtë edicion të garave në nivel klubesh dhe me kombëtare.

Zhegrova pritet të jetë edhe sonte në aksion ndaj Qipros, me Kosovën që e zhvillon ndeshjen e fundit të këtij muaji në kuadër të Ligës së Kombeve.