Atdhe Nuhiu pensionohet si lojtar, e nis zejën e trajnerit
Dikur sulmuesi kryesor i Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist.
Ai tërhiqet nga futbolli i luajtur në moshën 35-vjeçare dhe menjëherë nis punën si trajner. Do të jetë ndihmëstrajner te skuadra austriake, Altach.
Pjesë e Altachut, si sulmues, shtatlarti ishte prej verës së vitit 2021 e deri të hënën.
Karrierën e nisi tek ekipi austriak Wels. Më pas luajti për Austria Karntenin e si huazim te Riedi.
Në vitin 2010 u transferua te Rapidi i Vjenës, kurse një vit luajti huazim në Turqi tek Eskishehirspor.
Prej vitit 2013 e deri në vitin 2020 luajti për Sheffield Wednesday në kategorinë e dytë angleze. Një edicion e kaloi tek APOEL-i në Qipro e së fundi ishte tek Altachu.
Ka luajtur për U19, U20 e U21 të Austrisë, ndërsa prej vitit 2017 e deri në vitin 2021 ishte pjesë e Kosovës. I shënoi tri gola në 19 paraqitje.
Në Championshipin anglez, Nuhiu i ka luajtur 242 ndeshje, gjatë të cilave i ka 40 gola e 25 asistime.
Në Bundesligë të Austrisë i ka 194 ndeshje, 37 gola e 10 asistime. Në Superligën turke i ka 28 ndeshje, dy gola e dy asistime. Ka luajtur edhe në Evropë dhe tani karrierës së suksesshme të Nuhiut i erdhi fundi.
Nuhiu ka veçuar debutimin në Bundesligën e Austrisë në vitin 2008, kualifikimin në Ligën e Evropës me Rapidin e Vjenës dhe paraqitjen në klubin tradicional anglez, Sheffield Wednesday.
“Prej vitit 2017 deri në vitin 2021 kisha nderin të përfaqësoj vendin tim 19 herë. Jam veçanërisht krenar që kam përfaqësuar një shtet me të kaluar të vështirë në historinë e vet ndërkombëtare. Ishte privilegj të vesh fanellën dhe ta përfaqësoj ekipin kombëtar në fushë futbolli”, ka shkruar Nuhiu të hënën.
Ai vlerëson se karrierën e ka përfunduar më herët se që pritej. Tani shtatlarti Nuhiu shikon para për karrierën si trajner.
“Një falënderim i veçantë shkon për Altachun dhe tifozët e tij. Më keni pritur ngrohtësisht në vitet e fundit dhe më keni përkrahur në çdo situatë. Jam shumë mirënjohës ndaj klubit që më ka lejuar të mbetem pjesë e botës së futbollit në rol të ri. Ju faleminderit që më keni besuar që ta nis këtu kapitullin e ri të karrierës sime si trajner”, ka shkruar Nuhiu.
Ai ka falënderuar edhe familjen e sidomos babanë.
Te Kosova, Nuhiu debutoi me gol ndaj Islandës, më 24 mars të vitit 2017.
Gol tjetër shënoi ndaj Ishujve Faroe më 10 shtator të vitit 2018. Shënoi edhe ndaj Çekisë, më 14 nëntor të vitit 2019. Së fundi luajti në tetor të vitit 2020, ndërsa u grumbullua deri në mars të vitit 2021.