Ramadani: Luftuam dhe e merituam fitoren
Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur një fitore të madhe sonte ndaj Gjeorgjisë, si mysafire.
“Kuqezinjtë” triumfuan 1-0, me golin e shënuar nga Kristjan Asllani në fillimin e pjesës së dytë.
Pas kësaj fitore që zgjoi shpresat e Shqipërisë për plasman tutje, foli edhe Ylber Ramadani, menjëherë pas ndeshjes.
Ai tha se komplet ekipi luftoi dhe e meritoi këtë fitore të madhe.
“Kemi lënë shpirtin në fushë, nga i pari tek i fundit. Sot treguam karakter. Ishim grup i bashkuar dhe merituam rezultatin në fund. Secili është i gatshëm të jap maksimumin. Nuk ka hatërmbetje. Jemi të bashkuar dhe secili që luan synon ta tregojë veten. Sot treguam veten dhe morëm pikët.
Kemi mundur ta mbyllim ndeshjen më herët. Jemi hedhur disa herë para dhe kishim raste të mira. Kishim disa ditë të vështira, pasi jemi kritikuar shumë. Por kritikat na bënë mirë”, tha ai.