Pas fitores ndaj Gjeorgjisë, Sylvinho: Po rritemi si skuadër, jam krenar që jam trajner i Kombëtares Shqiptare
Shqipëria ka fituar në tokën gjeorgjiane për herë të parë në histori.
Arkitekt i kësaj fitore është padyshim Sylvinho, i cili udhëhoqi kombëtaren shqiptare drejt historisë.
“Kuqezinjtë” triumfuan minimalisht prej 1-0 ndaj Gjeorgjisë, me golin e shënuar nga Kristjan Asllani.
Pas fitores së sontme, u shpreh edhe selektori i kombëtares shqiptare, Sylvinho.
Ai potencoi se skuadra që ai po e drejton po vazhdon rritjen.
“Ishte ndeshje shumë e mirë. Ndryshimi nga ndeshja e kaluar është se sot fituam e në ndeshjen e kaluar jo. Jemi duke u rritur si skuadër. Edhe në ndeshjen e kaluar kishim mundësi për të ndryshuar rezultatin, por nuk kishim fat. Nuk dua të merrem me lojtar specifik, por i gjithë grupi ka funksionuar mirë. Jemi paraqitur mirë dhe po rritemi si skuadër. Shqipëria është e fortë. Jam krenar që jam trajner i Kombëtares shqiptare. Trishtohem kur humbim ndeshje, por sot kanë luajtur mirë të gjithë. Tuci luajti mirë, Ajeti, Balliu, Bajrami, të gjithë kanë luajtur shumë mirë. Sigurisht që do të festojmë në nëntor, por me këmbë në tokë. Nga nesër fillojmë të punojmë. Por grupi është shumë i vështirë. Secili mund të mposht secilin. Është grup i fortë, grup i hapur”, tha ai.
Ndeshjet e ardhshme, kombëtarja kuqezi i zhvillon në muajin nëntor, ndaj Çekisë e Ukrainës në “Air Albania”.
Për momentin, Shqipëria ka 6 pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara.