UEFA rreth skandaleve në Çeki e Serbi: Janë duke u shqyrtuar raportet e ndeshjeve
Java e fundit ka qenë shumë e tensionuar, me Kosovën që përmendej në stadiume në Çeki e Serbi, edhe pse nuk ishte pjesë e ndeshjeve.
Gjithçka nisi në stadiumin “Epet Arena” në Pragë më 11 tetor, ku Çekia po i bënte konak Shqipërisë, për ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve.
Huliganët çekë (me shumë gjasë të përzier edhe me serbë), kishin vendosur pankartën e famshme të hartë së Kosovës me ngjyrat e Serbisë, ku shkruhet “Nuk dorëzohemi”, së bashku me disa flamuj të Shqipërisë, të kthyer mbrapshtë me një X në mes.
Më 12 tetor, në Leskovc, Serbia e priti Zvicrën e Granit Xhakës, me sjellje të njëjtë.
Tifozët serbë në stadium po këndonin njëzëri “Kosova është Serbi” sa herë që Xhaka e prekte topin.
Por, kjo nuk ishte e tëra, pasi huliganët serbë kishin vendosur po ashtu edhe pankartën me mbishkrimin “Nuk dorëzohemi”, me hartën e Kosovës në të.
Për këto ngjarje “Gazeta Express” ka kontakuar me UEFA-n, e cila ktheu përgjigje gjatë ditës së sotme.
Ata shkurtimisht kanë bërë me dije se ende po vazhdojnë shqyrtimin e raporteve të këtyre ndeshjeve, para marrjes së një vendimi përfundimtar.
“Raportimet zyrtare nga ndeshjet e Ligës së Kombeve, momentalisht po i pranojmë dhe po i shqyrtojmë një nga një. Nëse ka çështje të diskutueshme, vazhdojmë me procedurat e duhura dhe nëse ka sanksione disiplinore, i publikojmë në uebsajtin tonë”, ka qenë përgjigja e UEFA-s për “Express”.
Rreth këtyre ngjarjeve, ka reaguar dje edhe Federata e Futbollit e Kosovës, duke dënuar ashpër sjelljet e tifozëve në dy stadiumet.