FFK-ja reagon pas shfaqjes së banderolave dhe thirrjeve ofenduese në ndeshjet Çeki – Shqipëri dhe Serbi – Zvicër
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar pas shfaqjes së banderolave dhe thirrjeve ofenduese në ndeshjet Çeki – Shqipëri dhe Serbi – Zvicër.
Në të dyja këto ndeshje si nga tifozët çekë ashtu edhe nga ata serbë pati këngë anti-Kosovë që shkaktoi reagim të madh në opinionin publik.
FFK-ja ka dënuar ashpër këto thirrje ndërsa ka bërë me dije se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për të marrë masa të menjëhershme.
“Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër shfaqjen e banderolave me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb dhe mbishkrimin “S’ka dorëzim” si dhe thirrjet kundër Kosovës dhe shqiptarëve që u dëgjuan gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Serbi-Zvicër dhe Çeki-Shqipëri”.
“Këto akte të papranueshme, e të cilat po ndodhin në vazhdimësi nga tifozë serbë dhe tifozë të disa vendeve tjera që janë të afërta me grupet e tilla serbe, nuk kanë vend në futboll dhe në asnjë arenë sportive, pasi përhapin urrejtje dhe përçarje mes popujsh e shtetesh”.
“Rikujtojmë se incidentet e tilla janë në kundërshtim të plotë me vlerat që UEFA dhe komuniteti ndërkombëtar i futbollit përfaqësojnë. Futbolli duhet të shërbejë si platformë e fuqishme për promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe vlerave të barazisë kudo”.
“FFK, si anëtare e barabartë me federatat e shteteve tjera, ka përgatitur ankesën zyrtare për në UEFA, me dëshmitë e të gjitha shkeljeve e ofendimeve që u bën ndaj shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të ndërmerren masa të menjëhershme për të dënuar në mënyrë sa më të ashpër skenat e tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre në të ardhmen”, thuhej mes tjerash në reagimin e FFK-së.
Përndryshe Kosova do të rikthehet në aksion të martën aty ku do të presin në ‘Fadil Vokrri’ kombëtaren e Qipros.