Kur të kritikojnë mediat, krijoi tuat
Në bazë të të dhënave bankare që ka siguruar Albanian Post si rezultat i një hulumtimi të gjatë, rezulton se tri mediume përfituan rreth 40 mijë euro.
Janë afër 40 mijë euro që Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u ka shpërndarë përgjatë vitit 2021, disa mediave të cilat në këmbim kanë bërë artikuj pozitiv për kreun e Shtëpisë së Futbollit të Kosovës.
Në bazë të të dhënave bankare që ka siguruar Albanian Post si rezultat i një hulumtimi të gjatë, rezulton se më së shumti para nga Ademi ka përfituar agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.
Nga kontoja bankare e FFK-së, këtij mediumi i janë alokuar në xhirollogarinë e tij 15 mijë e 830 euro, vetëm në vitin 2021. Por, për këto të holla, mediumi në fjalë i është “shpaguar” kreut të FFK-së Ademi.
Në artikujt që janë publikuar nga “Presheva Jonë” për Ademin të gjithë janë pozitiv, madje ka prej atyre që ardhjen e Ademit në krye të FFK-së e paraqesin si “shpëtimtar” të Shtëpisë së Futbollit të Kosovës.
Përveç kësaj, ka edhe shkrime ku gjoja Ademin, lexuesit e këtij mediumi, e kanë shpallur personalitet të vitit 2023, duke e mposhtur trajnerin e xhudos Toni Kuka, lojtarin e Napolit, njëherit mbrojtësin e Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmanin, madje edhe Dua Lipën.
Në lidhje me këtë çështje, Albanian Post ka kontaktuar me Kushtrim Maliqin, pronarin e “Presheva Jonë”.
Ai ka thënë se këto të holla mediumi i ka marrë nga FFK-ja në bazë të një marrëveshje që kanë bërë me Shtëpinë e Futbollit të Kosovës.
“Për t’i përcjellur aktivitetet e FFK-së dhe ndeshjet e Kosovës”, tha Maliqi në arsyetimin e tij duke mos dhënë detaje shtesë.
Përfituese e 12 mijë e 699 euro e 50 cent është edhe “Gazeta Olle”, që merret vetëm me lajme të sportit. Ngjashëm si “Presheva Jonë”, edhe "Gazeta Olle" ka publikuar artikuj pozitiv për Agim Ademin.
“Si në kohët e vështira edhe në të mira, Agim Ademi gjithmonë pranë futbollit”, është njëra nga artikujt e “Gazetës Olle” për kreun e FFK-së, Agim Ademin.
Ky medium kishte qenë fillimisht në pronësi të gazetarëve Kushtrim Krasniqi, Art Kuqit dhe Arlind Bashollit dhe më pas ishte shitur tek aktori Fatmir Spahiu.
Spahiu në një bisedë për AP e ka pranuar se këto mjete janë alokuar në xhirollogarinë e Olles, por ka theksuar se pronarët paraprak kishin pasur një kontratë me FFK-në për siç tha ai “promovimin e futbollit të femrave”.
“Kur e kam blerë Gazetën Olle ka qenë një kontratë e nënshkruar me FFK-në që ka qenë për promovimin e futbollit femeror. Kontrata ka zgjatur dy vite dhe vitin e tretë unë e kam shitur mediumin”, tha Spahiu.
“Asgjë jolegjitime nuk kemi bërë, mjetet kanë shkuar për paga”, ka shtuar aktori gjilanas që njihet si tifoz i futbollit.
Por, lista e mediave që kanë përfituar nga Agim Ademi nuk përfundon me kaq. 5 mijë e 500 euro është shuma e parave që i janë dhënë “Gazetës Goli” e cila lajmin e fundit në faqen e saj në Facebook e ka publikuar më 20 maj të këtij viti.
Madje, për këtë gazetë nuk rezulton asnjë website aktiv. Nga ky medium ka qenë i pamundur kontakti me dikë edhe pse në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron një numër kontakti i telefonit, i cili ka qenë i pa qasshëm.
Ndërsa 500 euro më pak i janë ndarë edhe “Gazeta Topit”, pronar së cilës figuron në ARBK, Besar Hashani. Kjo gazetë në vitin 2022 i ka marrë nga Agim Ademi 5 mijë euro. Në këmbim ngjasëhm si tek të tjerat: shkrime pozitive për “liderin suprem”.
Hashani nuk e ka mohuar se i ka marrë mjetet, por nuk ka treguar se për çfarë janë shfrytëzuar dhe nuk ka qenë në gjendje të jap detaje për këtë çështje.
“Kontrata është çështje private, nuk mundem me të dhënë sqarim”, theksoi Hashani kur është pyetur ngaAP se ku janë shpenzuar parat.
Pos shpërndarjes së këtyre mjeteve, Agim Ademi ka angazhuar njerëzit e afërt të tij të tij edhe nëpër disa televizione.
Tashmë në televizionin “ATV”, i afërt me kreun e FFK-së, ka nisur punën si moderator i emisionit sportiv “Ekipi A” menaxheri i kombëtare së Kosovës, Bajram Shala. Ky i fundit kishte punuar paraprakisht në Radio Televizionin 21.
Pos, Shales edhe Maki Bajrami, ish prezantuese e emisionit sportiv “Sports Show” teksa ishte angazhuar si moderatore në Klan Kosova gjatë vitit 2021-22 kishte marrë para edhe nga FFK-ja si zyrtare për media.
Bajrami që tani nuk punon më në Klan Kosova, ishte paguar 1 mijë e 969 euro për paga, kompenzime dhe shpenzime të derivateve nga kontoja e FFK-së.
Ndërkaq ky është hulumtimi i pestë i AP-së për keqpërdorimet në FFK, ndërsa ditëve në vijim do të ketë edhe publikime të tjera ku do të dëshmohet edhe më tutje sistemi korruptiv të cilin Agim Ademi e ka instaluar në FFK.
Në artikullin e parë të AP-së për keqpërdorimet në FFK, u publikuan fakte përmes dokumenteve dhe të dhënave se si kryetari i Federatës, Agim Ademi, keqpërdoron paratë publike për ta mirëmbajtur vetën në krye të futbollit kosovar.
Skema korruptive e tij fillon nga keqpërdorimet e detyrës zyrtare brenda FFK-së, vazhdon me biznese e përfundon me analistë të paguar në studio televizive.
Në artikullin e dytë për keqpërdorimet në FFK, AP ka raportuar për nepotizmin masiv që është bërë në Shtëpinë e Futbollit, e cila është shndërruar në një “çerdhe” ku punësohen gratë, djemtë e vajzat e zyrtarëve të lartë që punojnë aty.
Ndërsa, në artikullin e tretë AP kishte raportuar se në mënyrë që të sigurohet për rizgjedhjen e tij në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në vitin 2022, Agim Ademi, kishte shpërndarë para ilegalisht në xhirollogari private të pronarëve të klubeve.
Në artikullin e katërt ishte raportuar se si plotë 127 mijë e 652 euro kishin qenë paratë që u janë dhënë vetëm brenda një viti 11 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv në formë të benificioneve shtesë, përveç pagave mujore që i kanë të rregullta në Federatën e Futbollit të Kosovës.