Trepça e nis me humbje të thellë në grupet e FIBA Europe Cup

Trepça e nis me humbje të thellë në grupet e FIBA Europe Cup

Sport October 09, 2024 - 22:51

Trepça e ka nisur me humbje edicionin e ri të FIBA Europe Cup, duke u mundur nga skuadra franceze JDA Bourgogne Dijon.

Ndeshja që është zhvilluar të mërkurën është mbyllur me rezultatin 118-73.

Edhe pse Trepça kishte një paraqitje të mirë në çerekun e parë, duke arritur të qëndrojë afër, Dijon ka kontrolluar lojën, duke dominuar plotësisht.

Njëmbëdhjetë lojtarët e skuadrës franceze kanë shënuar pikë.

Te Trepça është dalluar Mikaile Tmushiq me 22 pikë dhe katër kërcime, ndërsa Malik Johnson ka kontribuar me 10 pikë, 9 asistime dhe 4 kërcime. Samuel Hunter, megjithëse ka shënuar 17 pikë, ka pasur efikasitet të ulët në lojë.

Pas kësaj humbjeje, Trepça do të përballet me skuadrën gjermane MHP Riesen Ludwigsburg javën e ardhshme, në një sfidë tjetër të fortë në Grupin H.

Ky grup është përbërë nga skuadra të fuqishme si JDA Bourgogne Dijon dhe Caledonia Gladiators nga Skocia.

Kjo është hera e dytë radhazi që Trepça merr pjesë në grupet e FIBA Europe Cup. /rtk