Iniesta me lot në sy e konfirmon pensionimin
Andres Iniesta ka njoftuar se është pensionuar nga futbolli.
40 vjeçari e bëri një postim prekës, përmes së cilit e konfirmoi vendimin e dhimbshëm pas një karriere të lavdishme.
Ish-mesfushori i Barcelonës, i cili e fitoi Botërorin dhe dy Evropiane me Spanjën, e përundoi karrierën e magjishme, ndërsa tash pritet ta nisë karrierën e re si trajner.
Ai e zgjodhi 8 tetorin, një datë që përkon me numrin që e kishte në fanellë gjatë karrierës përmbi 22 vjeçare.
Ai e mbajti një konferencë për shtyp sot në Barcelonë.
“Nuk e kam menduar kurrë se do të vinte kjo ditë, por këta janë lot emocioni dhe krenarie, jo të trishtimit. Këta janë lot të një vogëlushi nga Fuentealbilla, i cili ëndërronte të bëhej futbollist, dhe ia doli. Ndihem mjaft krenar me rrugëtimin tim”, deklaroi Iniesta.
I lindur në Castilla-La Mancha, Spanjë, Iniesta i ishte bashkuar Barcelonës kur ishte 12 vjeç dhe u bë më pas njëri prej lojtarëve më të mëdhenj që kanë luajtur ndonjëherë tek gjiganti katalunas.
Iniesta kishte debutuar në ekipin e parë të Barçës si 18 vjeçar, ndërsa i kishte zhvilluar 674 ndeshje me këtë klub, duke i fituar 32 trofe.