Kryetari i FFK-së thotë se paditi “secilin person”, pas hulumtimit të “Albanian Post”
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në një intervistë për transmetuesin publik në vend (RTK) të dielën në mbrëmje, ka thënë se ka paditur “secilin person” të përfshirë në debatin e nxitur nga hulumtimi i “Albanian Post” për mënyrën korruptive të funksionimit të institucionit më të lartë të futbollit në Kosovë.
Ademi ka njoftuar se krahas padive gjyqësore, ka deponuar ankesë edhe në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), pas serisë së raportimeve të mediumit, por s’ka dhënë detaje specifike se për çfarë është ankuar.
“Ky nuk është kurrfarë hulumtimi”, ka shtuar ai. “Unë kam bërë ankesë dhe padi gjyqësore për secilin person”.
Ai e ka cilësuar hulumtimin e “Albanian Post” “recitim të të dhënave” që veçse kanë qenë objekt i autoriteteve shtetërore të drejtësisë, të cilat, sipas tij, nuk kanë gjetur asnjë shkelje.
Ademi ka potencuar gjithashtu se posti i të parit të FFK-së nuk është rrezikuar nga raportimet e fundit të mediumit për korrupsion serioz në shtëpinë e futbollit.
“Ky është recitim i të dhënave – të gjitha këto që ata i kanë publikuar kanë qenë objekt i kontrollës së shtetit. Kjo lëndë është mbyllur pa asnjë gjetje. Asnjëherë nuk rrezikohet posti im… Asnjëherë Agim Ademi nuk jep dorëheqje”, ka deklaruar Ademi në RTK.
“Albanian Post” ka nxjerrë në pah vetëm një pjesë të skemës korruptive brenda FFK-së, duke vënë në dukje se si kryetari i shtëpisë së futbollit në vend ka shpërndarë qindra mijëra euro nga buxheti i FFK-së për familjarë, biznesmenë, pronarë të klubeve futbollistike, përfaqësues të tifozëve të Kosovës e analistë të futbollit nëpër televizione.