Sylvinho jep mendimin për organizimin e Evropianit U-21 mes Shqipërisë dhe Serbisë

Sylvinho jep mendimin për organizimin e Evropianit U-21 mes Shqipërisë dhe Serbisë

Sport October 04, 2024 - 12:49

Shqipëria do t’i luajë dy ndeshje gjatë muajit tetor në kuadër të Ligës së Kombeve me përzgjedhësin Sylvinho, që tashmë ka publikuar edhe listën e lojtarëve të ftuar.

Kuqezinjtë do t’i zhvillojnë dy ndeshje ndaj Republikës Çeke (11 tetor) dhe ndaj Gjeorgjisë (14 tetor), që të dyja në udhëtim.

Para këtyre dy ndeshjeve, Sylvinho ka diskutuar për listën e lojtarëve, por ai nuk i shpëtoi dot pyetjes as për organizimin e përbashkët të Kampionatit Evropian për grup-moshat U-21 mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Sylvinho refuzoi që të japë koment se a ishte veprim i duhur apo jo nga Kombëtarja ky vendim, por që tha se atij i interesojnë shumë lojtarët e grup-moshave U-21.

“Është e vërtetë që është kandidate. Unë jam trajner, mua më interesojnë shumë lojtarët e U21. Në fakt ne kemi marrë shumë nga aty, Simonin, Bajramin, Mitajn, Berishën, Pajazitin, Fetain, Shpendin”.

“Kemi shumë të fortë aty, kemi marrë shumë, mua më intereson, por se si bëhet, ku bëhet pastaj, në vitin 2027, nuk është çështje trajneri”, tha fillimisht Sylvinho.

Në fund ai tha se nuk i takon që të vendos ose të jap opinione, por që nga ana sportive ai është i lumtur për faktin që lojtarët e U-21 të vijnë te Shqipëria në një gjendje të mirë fizike.

“Unë jam i lumtur kur lojtari bën një rrugëtim të mirë, në një kampionat të fortë. Unë jam ai që duhet t’i shkojë mbrapa lojtarit, nuk është e trajnerit të vendosë apo të japë opinione, është një çështje e veçantë, që sipas meje nuk më përket”.

“Nga ana sportive jam shumë i lumtur që lojtarët e U-21 vijnë te ne në kondicion të mirë”, përfundoi tekniku brazilian. /Telegrafi