Yakin: As që e kemi menduar të shkojmë në Serbi pa Xhakën
Kombëtarja e Zvicrës e nisi me dy humbje në Ligën e Kombeve. Por tani djemtë e Murat Yakinit po duan të marrin pikët e para kundër Serbisë si mysafir dhe në shtëpi kundër Danimarkës.
Të enjten, 50-vjeçari prezantoi skuadrën për këto dy ndeshje.
Duke u ndalur te kapiteni Granit Xhaka dhe lidhja e tij emocionale me Kosovën, Yakini tha se as që është menduar ndonjëherë të shkohet në Serbi pa të.
“As që e kemi marrë në konsideratë të mos e marrim Granitin me vete në Serbi. Natyrisht se është një ndeshje emocionale, por s’kemi pse i hapim gjithmonë rrëfimet e vjetra”, tha Yakini në konferencën për media, raporton Klankosova.tv.
Në anën tjetër, Yakini njoftoi se Ruben Vargas nuk do të jetë pjesë e të ftuarve, për shkak të një lëndimi. Vendin e tij do ta zë Christian Witzig i FCSG, që është edhe prurje e re në ekip.
Në ndeshjen e parë të Zvicrës, Nico Elvedi ishte përjashtuar me të kuq. Federata zvicerane e ka konsideruar vendimin për përjashtimin e tij si kontrovers, dhe prandaj thonë se është ndëshkuar me vetëm një ndeshje moslojë. Ai do të jetë në dispozicion për dy ndeshjet e tetorit.
E para ndeshjes në St. Gallen kundër Danimarkës, do të ketë edhe nderime.
Tre yjet e Nati, siç e quajnë zviceranët kombëtaren e tyre, Xherdan Shaqiri, Yann Sommer and Fabian Schar, të cilët u pensionuan këtë verë, do të përshëndeten edhe zyrtarisht me fansat para ndeshjes.
Ndërkaq, Xhaka dhe “dostat” e tij po presin të udhëtojnë për në Serbi, gjegjësisht në qytetin e Leskovcit, më 12 tetor. Ndeshja kundër Danimarkës do të luhet më 15 tetor.